Kandidati për Asamblenë Komunale të Drenasit, Labinot Halilaj, ka përshëndetur vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për rinumërimin e votave në Komunën e Drenasit, duke e cilësuar si një hap të domosdoshëm drejt transparencës dhe drejtësisë zgjedhore, shkruan rajoni.org.
Në një postim në rrjetin social “facebook”, Halilaj ka thënë se procesi i rinumërimit është i rëndësishëm për të garantuar integritetin e votës, ndërsa paralajmëroi se, nëse rezultati pas rinumërimit nuk e rikthen atë në përbërje të Kuvendit Komunal, atëherë ai do të tërhiqet përfundimisht nga angazhimi politik.
Megjithatë, ai vlerësoi lart kryetarin e komunës, Ramiz Lladrovci, duke e cilësuar si shembull të korrektësisë dhe dinjitetit politik.
“Jam i nderuar nga qëndrimi i drejtë dhe pastërtia e z. Lladrovci, i cili edhe në këtë rast po dëshmon korrektësi dhe dinjitet politik”, deklaroi Halilaj.
Postimi:
E përshëndes vendimin e PZAP-së për rinumërimin e votave në Komunën e Drenasit. Ky është një hap i drejtë dhe i domosdoshëm për të garantuar transparencë dhe drejtësi në procesin zgjedhor.
Kam edhe dy fjalë për opinionin publik:
Nëse pas këtij rinumërimi nuk do të jem më pjesë e Kuvendit Komunal, atëherë kjo do të jetë hera e fundit që unë merrem me këtë “sport të kategorisë së lehtë” që quhet politikë.
Luftës së bedelit dhe ushtrisë së tij prej milingonash por jo të gjithë, sepse aty ka edhe luanë e luanesha, fatkeqësisht iu ishin bashkuar edhe disa karkaleca nga taborri ynë edhe pse e çuditshme, por shumë e vërtetë në përpjekje kundër meje.
Megjithatë, ndihem i nderuar nga qëndrimi i drejtë dhe pastërtia e z. Lladrovci, i cili edhe në këtë rast po dëshmon korrektësi dhe dinjitet politik.
Andaj, kjo do të jetë beteja ime e fundit që do ta zhvilloj nga mbrojtja.
Tani, le ta shohim të gjithë së bashku kush nga të dy taborret kishte të drejtë, dhe kush do ta ngrejë trofeun e fitores në fund.