Hije dyshimi për konflikt interesi rëndojnë mbi një prorektore të Universitetit të Prishtinës. Që nga nëntori i vitit 2024, prorektorja për Buxhet dhe Financa, Albana Qehaja, ka nënshkruar me dorën e saj mëditjet e një këshilli të brendshëm të UP-së, ku ajo vetë figuron si anëtare. Për tetë takime, ajo ka përfituar rreth 700 euro.
Albana Berisha-Qehaja ka nënshkruar së paku tetë vendime për kompensim financiar të vetvetes si anëtare e Këshillit Botues të Universitetit të Prishtinës, një trup profesional që shqyrton rastet për dhënien e pëlqimit të botimeve të teksteve akademike. Ajo mban edhe pozitën e lartë administrative të Prorektores për Buxhet dhe Financa.
Dokumentet zyrtare që ka siguruar Paparaci, tregojnë se ajo ka qenë njëkohësisht nënshkruese dhe përfituese e vendimeve financiare që lidhen me kompensimin e anëtarëve të Këshillit Botues të UP-së.
Sipas një vendimi të Senatit të Universitetit të Prishtinës, më datë 14 nëntor të vitit 2024 është themeluar Këshilli Botues i Universitetit të Prishtinës, një trup profesional që ka për detyrë të vlerësojë dhe japë pëlqime për botimin e teksteve.
Në përbërjen e këtij Këshilli, figuron si anëtare edhe Albana Berisha-Qehaja, profesoresha e asistuar e cila mban pozitën e lartë administrative të Prorektores për Financa dhe Buxhet në universitet.
Në të njëjtin vendim përcaktohet edhe kompensimi financiar për anëtarët e Këshillit Botues, ku secili anëtar i Këshillit Botues, për mbledhjet e mbajtura do të kompensohet në vlerë prej 57.20 euro, por jo më shumë se dy mbledhje brenda muajit.
Nga nëntori i vitit 2024 deri në qershor të vitit 2025, Këshilli Botues është mbledhur tetë herë, tregojnë dokumentet që ka siguruar Paparaci.
Në katër raste, Qehaja-Berisha është kompensuar me 114 euro për dy mbledhje të mbajtura brenda një muaji. Në katër raste të tjera, kur është mbajtur vetëm një takim i këshillit, ajo është kompensuar me 57 euro.
Të gjitha vendimet për kompensim financiar të anëtarëve të këshillit, ajo i ka nënshkruar me dorën e vet. Por, në një funksion tjetër: të atij të Prorektores për Buxhet dhe Financa.
Në total, Qehaja-Berisha e ka kompensuar vetveten me rreth 700 euro në formë të mëditjeve.
Dyshimi për konflikt interesi buron nga fakti që Prorektorja për Financa, e cila ka kompetencë në nënshkrimin dhe ekzekutimin e vendimeve financiare, është përfituesja e drejtpërdrejtë e atyre vendimeve, për shkak të pjesëmarrjes së saj në Këshillin Botues.
Sipas Ligjit Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, zyrtari publik ka detyrim të parandalojë dhe zgjidhë çdo situatë ku interesat e tij private mund të ndikojnë në ushtrimin e funksionit publik.
Neni 8, paragrafi 1 i këtij ligji përcakton se: “Me marrjen e detyrës dhe gjatë ushtrimit të saj, zyrtari ka për detyrë të parandalojë dhe të zgjidhë vetë në mënyrën më efektive të mundshme çdo situatë të konfliktit ndërmjet interesave publike dhe privat”.
Ndërsa paragrafi 2 i po këtij neni shton se: “Në rast se zyrtari ka dyshime apo konstaton se konflikti i interesit ka lindur ose mund të lindë, ai duhet të këshillohet dhe të informojë sa më parë udhëheqësin e drejtpërdrejtë apo organin udhëheqës”.

Nga dokumentet në fjalë, nuk rezulton që prorektorja Berisha-Qehaja të jetë vetëpërjashtuar nga vendimmarrja financiare që përfshin edhe përfitimin e saj.
Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit (neni 9) ndalon në mënyrë të qartë që zyrtari publik të marrë vendime që sjellin përfitim personal, të ndikojë në vendimmarrje që lidhen me çështje financiare nga të cilat përfiton vetë.


Në këtë rast, vendimet për kompensime financiare të firmosura nga një zyrtare që përfiton vetë nga ai akt, ngrenë dyshime për konflikt të mundshëm interesi të cilin pritet ta hetojë Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK).

Mediumi, po ashtu i është drejtuar me pyetje Universitetit të Prishtinës për të marrë një sqarim për rastin, megjithatë deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë pëgjigje nga universiteti.
Edhe profesoresha Berisha-Qehaja është pyetur për rastin dhe ekzistencën e dyshuar të konfliktit të interesit në veprimet e saj, mirëpo as ajo nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.