Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, është takuar me ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku dhe Sulejman Selimi, takim të cilin ai e ka quajtur “me vlerë” për arsye historike dhe kombëtare, shkruan rajoni.org.
Në një postim në facebook, Lladrovci ka thënë se me dy gjeneralët kanë diskutuar për vlerësimet e Gjeneralit Wesley Clark lidhur me luftën çlirimtare, për drejtësinë e luftës së UÇK-së, pastërtinë e saj dhe pafajësinë e heronjve të luftës dhe të paqes.
Ai ka theksuar se ky ishte një takim me gjeneratën e çlirimit, e cila kontribuoi në ndërtimin e aleancës historike me NATO-n dhe proceset pozitive për Kosovën.
Sipas tij, “ushtarakët pa uniformë mbeten më kërkues për zhvillimet në vend dhe më energjik për ecjen e shtetit përpara”, duke nënvizuar rolin e tyre në ruajtjen e vlerave kombëtare dhe shtetformuese.