Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri, Xhafer Tahiri, ka njoftuar dorëheqjen nga posti që ka mbajtur për vite me radhë. Vendimin e ka bërë publik përmes një letre drejtuar qytetarëve të Vushtrrisë dhe strukturave të LDK-së, duke theksuar se ky hap vjen nga përgjegjësia politike dhe dashuria për qytetin.
Tahiri tha se dorëheqja nuk është rezultat i lodhjes apo zhgënjimit, por një hap për t’i hapur rrugë energjive të reja brenda subjektit. Ai theksoi se që nga viti 2009, kur mori drejtimin e Forumeve Rinore të LDK-së në Vushtrri e më pas në nivel vendi, përkushtimi i tij ka qenë i pandalshëm.
Duke rikujtuar mandatin e tij si kryetar i komunës (2017–2021), Tahiri u shpreh se ai ka qenë nderi më i madh i jetës së tij politike, ndërsa projektet e realizuara gjatë asaj periudhe mbeten dëshmi e punës së përbashkët me qytetarët.
Në letrën e tij, Tahiri publikoi edhe rezultatet elektorale të viteve të fundit, duke veçuar vitin 2017 kur u bë kandidati i vetëm fitues i LDK-së në Rajonin 02 gjatë dy dekadave të fundit.
Pavarësisht dorëheqjes nga drejtimi i degës, Tahiri njoftoi se do të vazhdojë angazhimin politik në Kryesinë Qendrore dhe Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, duke mbetur, siç u shpreh vetë, i përkushtuar ndaj Vushtrrisë dhe partisë.
Në fund, ai shprehu mirënjohjen e thellë për anëtarët, aktivistët dhe qytetarët e Vushtrrisë, duke theksuar se LDK-ja dhe ky qytet kanë qenë për të “shtëpia, familja dhe identiteti politik”.