Trafiku Urban i Prishtinës ka shprehur keqardhje për qytetarët që kanë mbetur pa transport publik për shkak të pezullimit.
Komuna e Prishtinë ka miratuar bartjen e mjeteve buxhetore, por Trafku Urban i Prishtinës ka theksuar se këto mjete mund të bëhen të përdorshme vetëm pas transferimit të tyre nga institucionet qendrore.
Deri atëherë trafiku urban do të mbetet pamundësi financiare për të funksionuar.
Komunikata e plotë:
Të nderuar qytetarë,
Në radhë të parë shprehim keqardhje të thellë për shqetësimet dhe vështirësitë që po ju shkaktohen nga pezullimi i transportit publik. E dimë sa i rëndësishëm është ky shërbim për lëvizjen tuaj të përditshme.
Megjithëse sot Kuvendi Komunal ka votuar bartjen e mjeteve buxhetore nga viti 2024, duhet theksuar qartë se këto mjete mund të bëhen të përdorshme vetëm pas transferimit të tyre nga institucionet qendrore. Deri në realizimin e këtij hapi, N.P.K. “Trafiku Urban” SHA mbetet në pamundësi financiare për të shlyer obligimet ndaj furnitorëve, e rrjedhimisht edhe për të rifilluar operimin normal.
Për këtë arsye e shohim të arsyeshme dhe të domosdoshme që të gjitha institucionet përgjegjëse, përfshirë ministrinë përkatëse, të përshpejtojnë të gjitha procedurat e transferimit, në mënyrë që ndërmarrja të mund t’i kthehet menjëherë shërbimit publik.
Deri në përmbushjen e këtyre obligimeve, dhe për sa kohë mbetet e pamundur të rifillojmë operimin, protesta e paralajmëruar nga punëtorët e Trafikut Urban do të vazhdojë.
Me të bërë të qasshme mjetet financiare, shërbimi i transportit publik do të rikthehet pa asnjë vonesë.
Gjithashtu, i njoftojmë qytetarët se për të gjitha biletat mujore të paguara, do të kompensohen ditët në të cilat shfrytëzuesit nuk kanë mundur të përdorin shërbimin e transportit.
Faleminderit për mirëkuptimin tuaj.