Drenica ka konfirmuar sot përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Bylbyl Sokolin, një vendim i marrë në mirëkuptim të plotë dhe në frymë të respektit profesional.
Në njoftimin zyrtar, klubi ka shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e Sokolit, nga rikthimi historik në Superligë deri te puna e tij në këtë sezon për ndërtimin dhe përgatitjen e skuadrës.
“Kontributi i tij mbetet i vlerësuar nga drejtuesit, futbollistët dhe çdo njeri që e do FC Drenicën,” thuhet në njoftim.
Klubi thekson se Profesori do të mbetet pjesë e historisë së Drenicës dhe do të gëzojë gjithmonë respektin më të lartë nga komuniteti.
Drenica nënvizon se do të vazhdojë përpara me qartësi, profesionalizëm dhe objektiva të mëdha, duke synuar ndërtimin e një projekti serioz, afatgjatë dhe me ambicie europiane.
Klubi pritet të njoftojë së shpejti hapat e radhës sa i përket drejtimit të ekipit.