Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur sot një nga fazat formale më të rëndësishme të procesit zgjedhor: tërheqjen e shortit që përcakton renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.
Shorti, i zhvilluar në prani të përfaqësuesve të partive dhe vëzhguesve, ka vendosur numrat përfundimtarë me të cilët partitë kryesore do të paraqiten para qytetarëve.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të garojë me numrin 129.
Nisma Socialdemokrate do të garojë me numrin 122.
Partia Demokratike e Kosovës do të paraqitet me numrin 130.
Lidhja Demokratike e Kosovës do ta ketë numrin 123.
Lëvizja Vetëvendosje do të garojë numrin 116.
Sipas propozimit fillestar, shorti ishte planifikuar të mbahej më 8 dhjetor, por vendimi u rishikua në mbledhjen e radhës së KQZ-së.
Sot është afati i fundit që subjektet politike të dorëzojnë listat zgjedhore me të cilat partitë do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Presidentja Vjosa Osmani, megjithë kundërshtimet e shumicës së partive politike, e ka vlerësuar 28 dhjetorin si datën më të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve.