Ish-ushtari i UÇK-së, Agim Hashani, ka bërë të ditur se është kërcënuar nga Drejtoresha për Kulturë, Medina Bunjaku, pas një komenti që ai kishte bërë në një portal lidhur me emërimin e saj, shkruan rajoni.org.

Sipas Hashanit, drejtoresha i ka dërguar një mesazh privat duke i thënë se do ta paraqesë në polici për atë koment. Ai thotë se komenti ka qenë publik dhe se çdo qytetar ka të drejtë të shprehë mendimin e tij pa u frikësuar.

Hashani ka theksuar se është veteran i luftës dhe ish-pjesëtar i TMK-së për më shumë se 10 vite, si dhe mban disa pozita në fshatin Banjskë, ku përfaqëson një numër të madh banorësh dhe votuesish.
Ai shprehet se nuk e pranon kërcënimin nga askush, sidomos nga një zyrtare publike, vetëm pse ka dhënë mendimin e tij.
Postimi:
Përshëndetje,
Dua të ju njoftoj se Drejtoresha për Kulturë, znj. Medina Bunjaku, më ka shkruar në mënyrë private dhe më ka kërcënuar se do të më paraqesë në polici, për shkak të një komenti që kam dhënë në një portal publik.
Postimi ka qenë publik dhe çdo qytetar ka të drejtë ligjore dhe kushtetuese për mendim të lirë dhe shprehje publike, pa u frikësuar apo kërcënuar.
Unë, si anëtar i Këshillit Drejtues, Kryetar i Nëndegës për Banjskë, Kryetar i fshatit Banjskë, me mbi 981 votues dhe rreth 2000 banorë me diasporë, si dhe Veteran i Luftës dhe ish-pjesëtar i TMK-së për mbi 10 vite shërbim, nuk e meritoj të kërcënohem nga një zyrtare publike për shprehjen e mendimit tim.
Po e bëj këtë njoftim publik ketu , për ta bërë të qartë se nuk pranoj kërcënime, presione apo fyerje nga askush, pavarësisht pozitës që mban.
Nëse kjo qasje vazhdon, do të jem i detyruar që të gjitha mesazhet dhe komunikimet t’i bëj publike në portale dhe t’i dorëzoj edhe në Prokurori, në mënyrë që opinioni të informohet se çfarë qasjeje dhe sjelljeje po përfaqëson një drejtoreshë komunale.
Kërkoj respekt, komunikim korrekt dhe përgjegjësi institucionale, ashtu siç i ka hije çdo zyrtari publik.
Me respekt,
Agim Hashimi
