Wednesday, January 21, 2026

Edhe statistikat e ASK-së zbulojnë krizen energjetike: Më pak prodhim, më shumë import

Ndërprerjet e energjisë elektrike dhe rënia e blloqeve prodhuese të termocentraleve kanë thelluar pasigurinë energjetike në Kosovë. Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për nëntorin 2025 tregojnë se vendi vazhdon të mbulojë një pjesë të madhe të nevojave për energji përmes importit, duke e rritur varësinë nga tregjet e jashtme pikërisht tash kur prodhimi po bie, shkruan Demokracia.

Pavarësisht rritjes së lehtë të konsumit dhe zhvillimeve pozitive në sektorin e energjisë alternative, Kosova vazhdon të mbetet thellësisht e varur nga importi i energjisë elektrike, tregojnë të dhënat më të fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për muajin nëntor 2025.

Sipas raportit zyrtar, importi i energjisë elektrike në nëntor 2025 ka arritur në 325.04 GWh, një nivel i lartë që konfirmon se prodhimi nuk po arrin të mbulojë nevojat reale të vendit, sidomos në muajt e dimrit.

Edhe pse krahasuar me nëntorin e vitit 2024 shënohet një rënie simbolike prej 0.79 për qind, importi mbetet masiv dhe strukturor, duke e ekspozuar Kosovën ndaj çmimeve të tregut ndërkombëtar dhe pasigurisë energjetike.

Raporti i ASK-së nxjerr në pah një tjetër paradoks se prodhimi bruto nga termocentralet ka rënë me 9.67 për qind, ndërsa prodhimi total vendor i energjisë elektrike ka shënuar rënie prej 12.82 për qind, duke zbritur në 634.84 GWh energji bruto në dispozicion.

Në të njëjtën kohë, eksporti i energjisë elektrike është rritur për 38.96 për qind, duke arritur në 247.29 GWh.

ASK thekson se pjesëmarrja e energjisë alternative në konsumin e përgjithshëm ka arritur në 12.14 për qind, falë rritjes së prodhimit nga hidrocentralet (+295%) dhe nga era e energjia solare (+51.32%). Megjithatë, kjo mbetet ende e pamjaftueshme për të zëvendësuar rënien e prodhimit nga termocentralet, të cilat vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e sistemit energjetik.

Konsumi i energjisë elektrike në nëntor 2025 ka arritur në 509.47 GWh, ose 0.39 për qind më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak. Rritja është vërejtur veçanërisht në sektorin industrial dhe komercial, duke shtuar më tej presionin mbi një sistem që varet gjithnjë e më shumë nga importi.

Të dhënat e ASK-së e konfirmojnë qartë se, përkundër investimeve dhe rritjes së burimeve alternative, Kosova ende nuk ka arritur pavarësi energjetike. Importi mbetet mekanizmi kryesor për mbulimin e mungesave, një situatë që, shpesh ekspertët e kanw paraqitur si rrezik serioz për stabilitetin ekonomik dhe sigurinë energjetike të vendit.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer