Friday, January 23, 2026

Ferit Idrizi e rikthen Drejtoreshën e cila ishte liruar më herët nga kjo pozitë, për shkak të performances së pakënaqshme

Kabineti i kryetarit të rizgjedhur të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka pësuar disa ndryshime me nisjen e mandatit të tij të dytë.

Përveç emërimeve të reja në krye të disa drejtorive komunale, një pjesë e drejtuesve të mëparshëm janë rikthyer sërish në pozitat që kishin mbajtur edhe gjatë mandatit të parë.

Një nga emërimet e fundit të Idrizit është edhe Medina Bunjaku, e cila është emëruar Drejtoreshë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në këtë komunë.

Bunjaku ishte liruar më herët nga kjo pozitë, për shkak të performancës së pakënaqshme. Kështu kishte deklaruar vetë Idrizi për KALLXO.com në qershor të vitit 2024.

Në atë periudhë, Komunës së Vushtrrisë iu shtua edhe një drejtori e re – ajo e Diasporës dhe Integrimeve Evropiane – në krye të së cilës u vendos pikërisht Bunjaku.

Megjithatë, në prezantimin e përbërjes së re të qeverisjes së tij, Idrizi e ka emëruar sërish Bunjakun në krye të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pavarësisht deklaratës së mëhershme se ajo ishte larguar nga kjo pozitë për shkak të performancës.

Ndërsa, Bunjaku, atëkohë deklaroi se ishte ajo që kishte dhënë vetë dorëheqje.

“Po, kam dhënë dorëheqje për arsye personale, për vazhdim të studimeve të mia”- kishte deklaruar Bunjaku, më 17.05.2024.

Mirëpo ndryshe deklaronte emëruesi i saj, Idrizi.

“E hup besimin e qytetarëve edhe dikur i them: “Ose po ta ndërroj këtë pozitë ose po e çoj te shtëpia krejt”. Tash unë në mënyrën ma njërëzore e bëj vlerësëimin e performancës” – kishte deklaruar Idrizi për KALLXO.com, më 10.06.2024

Ndërkaq, më datë 21.01.2026, Idrizi tha se riemërimi i saj është i merituar dhe se vendimin e ka marrë si rezultat i punës së mirë që Bunjaku ka bërë me aktivitetet kulturore në këtë qytet.

“Nuk është liru, por kur është transferu në Drejtorinë e Diapsorës dhe Integrimeve Europiane dhe ka performu shkëlqyeshem në atë drejtori dhe kjo është e drejtë eksluzive e kryetarit. Atëherë është ndesh me një drejtori që ka qenë shumë dimensionale, e ka pasë kulturën, rininë dhe sportin. E ka përmbyll një mandat katërvjeçar si drejtoreshë, e kemi kthyer, nuk kam pasë ndonjë propozim apo alternativë tjetër”- ka deklaruar Idrizi për KALLXO.com.

Gjatë katër viteve të udhëheqjes me Vushtrrinë, Idrizi “nuk u rehatua” me drejtorë komunalë.

Ndërrimi i shpeshtë i drejtorëve në këtë komunë është raportuar nga KALLXO.com.

Vetëm brenda periudhës 3 vjeçare të qeverisjes, janë evidentuar 14 ndërrime në drejtoritë komunale.

Në drejtorinë e prokurimit sipas vendimeve zyrtare nga Komuna, brenda tri viteve janë ndërruar 4 drejtorë.

Në drejtorinë për inspektime janë ndërruar dy drejtorë.

Ndërsa nga një është ndërruar në drejtorinë e urbanizmit, kulturës, buxhetit, shëndetësisë e administratës.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer