Sunday, February 1, 2026

Tentativë për tjetërsimin e pronës komunale, Driton Ajazi “godet” Ramiz Lladrovcin: Qeverisje pa vizion

Dje është mbajtur mbledhja e rregullt e Kuvendit Komunal të Drenasit, me 14 pika në rend dite. Sipas Nënkryetarit të Degës së PDK-së në Drenas, Driton Ajazi, kjo seancë dëshmoi edhe një herë drejtimin e gabuar dhe degradimin e vazhdueshëm të qeverisjes komunale nën udhëheqjen e Kryetarit aktual, Ramiz Lladrovcir, shkruan rajoni.org.

Ajazi ka theksuar se pika më problematike e kësaj seance ishte pika 8, e cila kishte të bënte me propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim afatgjatë, për 99 vjet, të pronave të paluajtshme të Komunës së Drenasit. Sipas tij, ky vendim është i rrezikshëm dhe i padrejtë për qytetarët.

“Ne i thamë JO këtij propozimi, me shumicë votash. Prona publike nuk është pronë private e askujt dhe nuk duhet të përdoret për pazare politike. Ajo i përket qytetarëve dhe duhet të shërbejë për interesin publik,” ka deklaruar Ajazi.

Ai shtoi se prona komunale nuk duhet t’u jepet individëve apo grupeve të caktuara për 99 vjet, vetëm për të shlyer borxhe politike nga zgjedhjet e fundit lokale.

Postimi:

Dje u mbajt mbledhja e rregullt e Kuvendit Komunal të Drenasit, me 14 pika në rend dite. Një mbledhje që, për fat të keq, edhe një herë dëshmoi qartë drejtimin e gabuar dhe degradimin e vazhdueshëm të qeverisjes komunale nën udhëheqjen e Kryetarit aktual.

Pika më skandaloze e kësaj seance ishte pika 8: Propozim-vendimi për miratimin paraprak të dhënies në shfrytëzim afatgjatë (99 vite) të pronave të paluajtshme të Komunës së Drenasit.
Një propozim-vendim i rëndë, i rrezikshëm dhe thellësisht i padrejtë ndaj qytetarëve.

Këtij propozimi i thamë JO, me shumicë votash. Sepse prona publike nuk është pronë private e askujt, as mjet për pazare politike. Ajo është pronë e qytetarëve të Drenasit dhe duhet të shërbejë për interesin publik, e jo të dhurohet për 99 vite individëve apo grupeve të caktuara të interesit, vetëm që Kryetari të shlyejë borxhet politike të zgjedhjeve të fundit lokale.

Në këtë mbledhje u ngritën edhe shumë çështje të tjera serioze, por për shkak të “problemeve teknike” në inçizimin e seancës, probleme që duken më shumë të qëllimshme sesa rastësore, qytetarët u privuan nga e drejta për t’i dëgjuar dhe parë ato diskutime.

Kjo ishte seanca e parë e rregullt për këtë vit dhe me plot të drejtë prisnim që Kryetari ta sillte si pikë të parë në rend dite strategjinë për parandalimin e vërshimeve në komunën tonë. Një problem që çdo vit ua shkatërron shtëpitë, pronat dhe dinjitetin qytetarëve tanë.
Por jo. Edhe këtë herë munguan veprimet, mungoi përgjegjësia, mungoi vizioni. Përveç daljes me qizme dhe realizimit të videove duke bërë filma mbi fatkeqësinë e qytetarëve, Kryetari ende nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për zgjidhjen e këtij problemi jetik.

Kjo është fytyra e vërtetë e kësaj qeverisjeje, shumë propagandë e mashtrime, pak punë, shumë fjalë, zero zgjidhje, shumë interesa personale, asnjë interes për qytetarin.

Ne do të vazhdojmë aktivitetin tonë politik me bindje të thellë, të palëkundur dhe me përgjegjësi të plotë. Do të jemi gjithmonë zëri i qytetarëve, mburojë e interesit publik dhe kundërshtar i çdo përpjekjeje për degradimin, keqmenaxhimin dhe uzurpimin e pasurisë së përbashkët të Drenasit.

Qytetarët meritojnë më shumë. Drenasi meriton qeverisje të ndershme, jo pazare të errëta.

D.A.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer