Policia e Kosovës ka njoftuar se, në bashkëpunim me Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar një operacion ku janë arrestuar pesë persona të dyshuar për krime lufte ndaj civilëve, shkruan rajoni.org..
Sipas njoftimit, hetimet lidhen me vrasjen e gjashtë civilëve shqiptarë në fshatin Syriganë të Skenderaj gjatë muajve maj–qershor 1998. Hetuesit kanë mbledhur prova dhe dëshmi dhe kanë identifikuar të dyshuarit, për të cilët është dorëzuar kallëzim penal.
Aksioni është kryer sot në orët e hershme të mëngjesit në gjashtë lokacione – pesë në Skenderaj dhe një në Mitrovicë e Veriut – ku janë ndaluar pesë persona.
Komunikata e plote:
Policia e Kosovës, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale e Republikës së Kosovës, ka realizuar me sukses operacionin policor të koduar “SYRIGANA”, që ka rezultuar me arrestimin e pesë (5) personave të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile.
Hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës, pas një pune intensive dhe hetimi profesional, kanë zhvilluar veprime hetimore lidhur me vrasjen e gjashtë (6) civilëve shqiptarë në fshatin Syriganë, Komuna e Skenderajt, gjatë periudhës maj–qershor 1998. Gjatë këtij procesi janë siguruar prova materiale dhe dëshmi relevante, si dhe janë identifikuar persona të dyshuar, për të cilët është përpiluar kallëzim penal dhe dorëzuar në Prokurorinë Speciale.
Në koordinim të vazhdueshëm me prokurorin e rastit, hetuesit kanë ndërmarrë veprime shtesë hetimore, konform autorizimeve ligjore. Si rezultat i provave dhe dëshmive të grumbulluara, prokurori special ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve.
Sot, më 01.03.2026, duke filluar nga ora 06:00, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, të mbështetur nga Njësia Speciale Operative, kanë realizuar planin operativ “SYRIGANA”, në gjashtë (6) lokacione të ndara – pesë (5) në Komunën e Skenderajt dhe një (1) në Mitrovicën e Veriut – ku janë arrestuar pesë (5) persona të dyshuar.
Gjatë zbatimit të operacionit, përmes prokurorit special është siguruar urdhër verbal për bastisje, i miratuar nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake në Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special. Bastisjet janë kryer në objektet e banimit dhe objektet përcjellëse, ku janë konfiskuar:
• 1 armë e gjatë gjysmë-automatike SKS, kalibër 7.62 x 39 mm
• 1 armë brezi e tipit Zastava M-57, kalibër 7.62 x 25 mm
• 2 karikatorë dhe 77 fishekë, kalibër 7.62 x 25 mm
• 1 pushkë gjuetie 12 GA (prodhim i ish-BRSS) me 17 fishekë dhe një rrethatore brezi
• Uniforma të ndryshme ushtarake dhe pjesë përbërëse të uniformave të ish-ushtrisë jugosllave
Me vendim të prokurorit special, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për procedura të mëtejme ligjore.
Policia e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale mbetet e përkushtuar në zbardhjen e krimeve të luftës dhe sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë, duke garantuar sundimin e ligjit dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.