Wednesday, March 4, 2026

Dimensioni socio-psikologjik i rezistencës së familjes Jashari

Kur gjithçka ishte e ditur që forcat policore po organizonin sulmin mbi familjen Jashari dhe po përgatitej një operacion i një shteti kundër një familjeje, familja Jashari kishte vendosur që të mos thyhej, siç nuk ishte thyer as në dy sulmet e mëhershme. Në familje kishin shkuar miq e veprimtarë duke tentuar që t’i bindnin që familja Jashari të largohej nga shtëpia, gratë, vajzat dhe fëmijët. Por ata që të gjithë ishin të vendosur që të mos ndaheshin dhe të qëndronin bashkë deri në vetëflijim, siç kishte thënë mësuesi Shaban Jashari më herët: “Nese i kemi exhelat moc do të biem të gjithë pernjëherë”.

Shkruan: Leutrim Sahiti

Se në familje kishte vendosmëri që të luftonin i madh e i vogël dhe se asnjë prej tyre nuk ndiente frikë, sepse me kohë e kishin mundur frikën dhe frika për ta nuk ekzistonte, sepse ata fëmijë nuk ishin rritur me frikë, por me trimëri, dashuri dhe edukim të pashembullt atdhetar të Shaban Jasharit, Rifatit, Hamëzës e Ademit. Këtë e dëshmon më së miri sjellja e Blerimit, djalit të Hamëzës, pikërisht më 4 mars 1998.

Atë ditë motra e kryekomandantit Adem Jashari, e cila pasi kishte qëndruar në Prekaz, po kthehej në Akrashticë bashkë me burrin, i cili kishte ardhur për ta marrë. Derisa ishin nisur me traktor nga kullat e familjes për në Akrashticë të Vushtrrisë, Blerimi, 13 vjeç ishte nisur me biçikletë duke e ndjekur nga pas.

Derisa po ngjiteshin kodrës në drejtim të Prekazit të Epërm, dhëndri dhe motra e kryekomandantit legjendar e ndalin traktorin dhe e lusin Blerimin që ta vendoste biçikletën në traktor e të shkonte edhe ai me ta në Akrashticë.

Lutjeve të tyre Blerimi iu ishte përgjigjur me vendosmëri:

“Isha ardhë me juve por nuk mundem me i lanë kullat e babës Shaban Murati”

dhe pas kësaj përgjigjeje ishte nisur me biçikletë në drejtim të kullave me një shpejtësi aq të madhe sa që halla Qamile ishte frikësuar se do të rrëzohej e lëndohej.

Ky do të ishte takimi i fundit me ta para se ai të binte heroikisht, jo duke u fshehur, jo duke qarë siç bëjnë fëmijët në atë moshë kur dëgjojnë krisma, dhe as duke fjetur, por duke qenë aktivisht në betejë, duke i ndihmuar me municion bashkë me gratë dhe vajzat, burrave dhe djemve që kishin zënë pozicionet e tyre dhe bashkë me ta po shkruanin historinë më të re të Kosovës.

Nga pikëpamja psiko-sociale, qëndrueshmëria e fëmijëve në një situatë të tillë nuk është e rastësishme, por lidhet me disa faktorë të ndërthurur mes tyre.

Së pari, identiteti i fortë kolektiv luan rol vendimtar.

Fëmijët e asaj familjeje ishin rritur me një ndjenjë të thellë përkatësie dhe misioni. Kur identiteti familjar dhe kombëtar bëhet pjesë e vetëdijes që në moshë të hershme, frika nuk zhduket si ndjenjë, por relativizohet përballë qëllimit më të madh.

Së dyti, modelimi prindëror është thelbësor. Kur figura prindërore përçon qetësi, vendosmëri dhe bindje të palëkundur, fëmijët e përvetësojnë këtë qëndrim si normë. Ata mësojnë si të reagojnë ndaj rrezikut duke parë reagimin e prindërve të tyre.

Një faktor tjetër është normalizimi i rrezikut. Në kushte represioni të vazhdueshëm, siç ishte përballur familja Jashari në vazhdimësi, rreziku bëhet pjesë e realitetit të përditshëm. Në aspektin psikologjik, organizmi i njeriut përshtatet me situata të tilla dhe frika nuk reagon më me të njëjtin intensitet si në rrethana të zakonshme.

Besimi në kauzë krijon një mekanizëm të fuqishëm përballimi. Kur qëllimi perceptohet si më i madh se jeta individuale, individi arrin të tejkalojë edhe instinktin bazë të mbijetesës, duke e vendosur idealin mbi frikën personale.

Historia e familjes Jashari nuk është mit, as legjendë e largët në kohë. Ajo është ngjarje e dokumentuar, e jetuar para syve të një brezi të tërë, ku vendosmëria për liri dhe për të qenë të lirë nuk njohu as frikë dhe as tërheqje.

Mësuesi Shaban, më mirë se kushdo tjetër, e kishte kuptuar postulatin e Kantit: kur zvarritesh si krimb, mos u anko kur të shkelin me këmbë. Por ai nuk e kishte mësuar këtë nga literatura, e kishte përvetësuar nga thellësia e qenies shqiptare, nga historia dhe përvoja e një populli që ka mësuar se dinjiteti nuk lypet, por mbahet, dhe se më mirë është të qëndrosh në këmbë me pak, sesa të jetosh i përkulur me shumë.

Këtë e dëshmoi edhe deklarata që mësuesi Shaban u kishte thënë policëve serbë gjatë bastisjes në vitin 1991, kur ata e kishin pyetur: “Për çfarë po luftojnë djemtë e tu? A e dijnë që edhe dhjetë herë shtet të bëhet Kosova, nuk mund të krijojnë kaq shumë pasuri?”

Plaku i urtë dhe i mençur, nga thellësia e zemrës, kishte thënë: “Djemtë e mi nuk po luftojnë për pasuri, por po luftojnë që të jetojnë të lirë e me dinjitet, me gratë dhe fëmijët e tyre, pa ua prishur gjumin askush.”

Në frymën kantiane, dinjiteti nuk është privilegj, por detyrim moral ndaj vetvetes. Njeriu që heq dorë nga qëndrimi i tij dhe pranon të jetojë i përkulur, e dobëson vetë themelin e respektit që kërkon nga të tjerët. Liria dhe dinjiteti nuk ruhen duke u zvarritur, por duke qëndruar në këmbë, edhe kur kjo kërkon sakrificë.

Prandaj, nëse mitologjia na ka mësuar për heronj që mposhtin frikën dhe vdekjen, historia jonë moderne na dha një shembull real, konkret dhe të prekshëm të asaj që në libra shpesh duket e pabesueshme.

Ideali i tyre për Liri e Pavarësi u arrit dhe kjo Liri e Pavarësi mban vulën e kësaj vendosmërie, trimërie, lufte e sakrifice që nga një familje heroike u masivizua dhe u kurorëzua me çlirim.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer