Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, është deklaruar lidhur me komentin e tij dhënë për Radio Pozharevcin, ku tha se toka për Manastirin e Deçanit është dhënë në pronësi të kësaj të fundit për hatër të tij nga kryeministri Albin Kurti.
Rashiq në një prononcim për Gazetën Insajderi tha se ka ngatërruar këtë ngjarje me atë të pranimit të kërkesës për vizitë të Patriarkut Porfirije, të Kishës Ortodokse serbe, në Kosovë përgjatë periudhës së Krishtlindjeve Ortodokse.
“Dje e pashë një konfuzion që është krijuar sa i përket deklaratës sime dhe fjalët e sakta që kam përdorur në atë moment dhe, me keqardhje po them se është një ngatërrim i fjalëve për një rast që ka ndodhur me patriarkun atëherë të Kishës Ortodokse serbe, që ka pasur një vizitë, kjo ka ndodhur para tri vitesh. Ashtu që, pasi që ka ndodhur në të njëjtën periudhë kohore, unë vetë e kam ngatërruar“, deklaroi Rashiq.
Rashiq, gjithsesi, tha se ka qenë njëri nga insistuesit kryesorë që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për dhënien në pronësi të 24 hektarëve Manastirit të Deçanit.
“Sa i përket Këshillit të Evropës dhe metodologjinë se qysh kemi ardhë deri në atë nivel, normalisht që unë si përfaqësues që jam me vite, prej fillimit në atë kohë gjithmonë kam kërkuar që një prej aktiviteteve të tilla duhet të jetë edhe respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Përmes atyre kontakteve dhe përmes të gjithë përfaqësuesve diplomatikë dhe në fund të fundit përmes qeverisë, kam kërkuar që kjo gjë të ndodhë. Prandaj po konsideroj që kam dhënë kontributin tim“, deklaroi më tej Rashiq.
Deklarata e Rashiq është tash në linjë me atë të Qeverisë së Kosovës, e cila tha se ministri për Komunitete dhe Kthim ngatërroi këto dy ngjarje.
“Ajo çka ka ngatërruar ministri Nenad Rashiq është pranimi i kërkesës së tij për vizitë të Patriarkut Porfirije, për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023, siç mund ta shihni në fotografinë më poshtë”, tha Arlind Manxhuka, zëdhënësi i Qeverisë.
Deklarata e Rashiq, se kryeministri Kurti i kishte thënë që po e zbaton vendimin e Kushtetueses për çështjen e tokave të Manastirit të Deçanit për hatër të tij, ka shkaktuar reagime të shumta.