Thursday, March 12, 2026

VV i kërkoi GjK-së të urdhërojë deputetët t’i bëjnë kuorum për president, këto janë komentet e PDK-së

Partia Demokratike të Kosovës ka dorëzuar komente në Gjykatën Kushtetuese lidhur me kërkesën e Vetëvendosjes për procedurën e zgjedhjes së Presidentit. Kërkesa në Gjykatë Kushtetuese ishte parashtruar nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, së bashku me dhjetë deputetë të tjerë mbrëmjen e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit. Në kërkesën e VV-së kërkohej interpretimi i kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit dhe vendosja e një mase të përkohshme për pezullimin e afateve kushtetuese, 30 minuta pas mesnate, përkatësisht 30 minuta para përfundimit të afatit kushtetues. VV pretendon se mungesa e deputetëve në seancë përbën shkelje të Kushtetutës dhe cenon krijimin e kuorumit për votim.

Në komentet e tyre, PDK kundërshtoi këtë interpretim dhe theksojnë parimin e mandatit të lirë parlamentar.

“Nuk mund të ketë asnjë përjashtim nga parimi themelor i demokracisë përfaqësuese, sipas të cilit mandati politik i deputetëve është i lirë dhe i parevokueshëm”.

Sipas tyre, deputetët nuk mund të detyrohen ligjërisht të marrin pjesë në votim apo të votojnë në një mënyrë të caktuar.

Dokumenti thekson se përfaqësuesit e zgjedhur kanë autonomi politike në ushtrimin e mandatit të tyre parlamentar.

“Veprimi politik mund të ndjekë rrugë të ndryshme dhe pjesëmarrja në seanca nuk është forma e vetme e veprimit politik”.

PDK argumenton gjithashtu se sanksioni për një deputet që nuk merr pjesë në seancë duhet të jetë politik dhe jo juridik.

“Është elektorati ai që mund të mos e rizgjedhë anëtarin pas përfundimit të mandatit, nëse ai nuk e ka ushtruar me ndërgjegje detyrën e tij”.

Argumentet e Faton Fetahut

Avokati dhe eksperti kushtetues, Faton Fetahu, referuar kërkesës së Vetëvendosjes dërguar në Gjykatë Kushtetuese që të detyrojë 120 deputetët të rrinë në sallë për zgjedhje të Presidentit të Kosovës thotë se kjo gjë është e pamundur ngase mandati i deputetit është i lirë, dhe se një kërkesë e tillë përkthehet veçse në të drejtë veto-je për Listën Serbe për të bllokuar themelimin e çfarëdo institucioni.

Fetahu ditë më parë në “RTV Dukagjini” tha se deputeti ka mandat të pakufizuar dhe mosqëndirmi në sallë përbën “veçse qëndrim politik” dhe është në përputhje me Nenin 74 të Kushtetutës.

“ Sepse nëse po na u dashka që 120 deputetë të jenë në sallë, me lehtësi Lista Serbe nuk vjen. Për rrjedhojë asnjëherë nuk do të zgjedhet as qeveria, as Kuvendi, as Presidenti si institucionet kryesore. Mospjesëmarrja në Kuvendin e Kosovës është qëndrim politik. Kështu që në këtë pikëpamje është një kërkesë e pabazuar por që mund të ketë pasojë. Unë uroj dhe shpresoj që Gjykata (Kushtetuese)”, tha ai.

“Kjo është në shpërputhje me Nenin 74 që garanton që deputetët janë të lirë, nuk i nënshtrohen asnjë kufizimi. Mandati i deputetit është i lirë. Prandaj është liri e deputetit të mos marrë pjesë. E kundërta do të çonte ujë (te Lista Serbe), do t’u jipte atyre të drejtë të veto-s Lista Serbe e cila nesër do ta mbante peng themlimin e çfarëdo institucioni. E kërkesë e tillë i përshtatet Vetëvendosjes, por nesër do të ketë pasoja të mëdha kushtetuese dhe politike për vendin. Si përfundim mendoj se do të shpallet e papranueshme kërkesa”, tha Fetahu.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer