Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës( CAA) i ka aprovuar kompanisë private EXFIS të drejtën e ofrimit të shërbimeve të furnizimit të aeroplanëve me kerozinë për një periudhë 7-vjeçare, përkatësisht nga 1 janari 2026 deri më 31 dhjetor 2032, pa iu nënshtruar konkurrencës në tregun e derivateve.
Sipas dokumenteve vendimi është nënshkruar nga u.d i drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Arianit Islami, më 30 dhjetor 2025, ku ceket se kompania EXFIS Sh.P.K është aprovuar si ofrues i shërbimeve për tokë për palë të treta në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Lista e shërbimeve të aprovuara nga AAC për EXFIS janë: Organizimi dhe ekzekutimi i operimeve për mbushje dhe zbrazje të derivateve, duke përfshirë deponimin e derivateve dhe kontrollin e cilësisë dhe sasisë së derivateve.
Këtë dokument e ka siguruar Front Online nga Autoriteti bazuar në kërkesën për qasje në dokumente publike.


Kompania private “EXFIS” ka disa vite që ka monopol në furnizimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës me kerozinë dhe nga një biznes i tillë ka fituar dhjetëra miliona euro të hyra.
Sipas pasqyrave financiare të kompanisë “EXFIS” për vitin 2024, kjo e fundit ka deklaruar rreth 13.5 milionë euro fitim neto, përderisa fitimi i saj neto në vitin 2023 kishte qenë 9.6 milionë euro.

Përndryshe, kompania “EX FIS” figuron në listën e financuesve të Lëvizje “Vetëvendosje” përgjatë zgjedhjeve të vitit 2020.
“EX FIS”, figuronte me vlerën më të madhe të mallrave si donacion, duke ia dhuruar tashmë partisë në pushtet plot 9,534 euro.
Bujar Ejupi, i cili u largua nga pozita e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës nga partia në pushtet (Lëvizja Vetëvendosje, kishte deklaruar se vazhdimisht po shantazhohet, sulmohet e po i bëjnë presion pasi raportoi keqpërdorimet që kishte gjetur në AAC që kur ishte emëruar në pozitën e drejtorit.
Dyshohet se kërcënimet në drejtim të Ejupit kishin të bënin “monopolin e kerozinës”.
“AAC ka raportuar thyerjen e ligjit për tarifat e kerozinës, si pasojë e së cilës janë përfituar mbi 2 milionë euro nga operatori ekonomik. Rasti është paraqitur menjëherë nga AAC në komisionin PPP, pasiqë kërkohen hapa të menjëhershëm për të ndaluar thyerjen e ligjit shumë vjeçar në ANP. AAC për herë të parë ka adresuar hapjen e tregut dhe ka sinjalizuar keqpërdorimin me monopolin e shitjes se kerozinës në aeroport“, ka shkruar Ejupi.
Uzurpimi i pompave në veri të Kosovës nga EXFIS
Pas financimit që i kishte bërë në fushatën e vitit 2020, kompania e derivateve “EX FIS”, në pronësi të afaristit Isa Muharremi, është përmendur edhe për uzurpimin e pompave të derivateve në veri.
“EX Fis” tentoi që t’i kapte pompat në zonat veriore të cilat po shfrytëzoheshin nga ‘Nis Petrol’, pronë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Veç pak ditë pas shpalljes publike të AKP’së, “EX FIS” është parë duke brenduar pompën pa u mbyllur afati.
Në rrjete sociale ishin ndarë fotografi të cilat dëshmonin se disa punëtorë të “EXFIS”-it kishin brenduar pompat para mbylljes së afateve.
Më pas, logot e “EXFIS” ishin larguar pasi AKP’ja kishte thënë se dhënia në shfrytëzim e pompave duhet të kalojë përmes prokurimit.
Në vitin 2021, Reporteri kishte raportuar se Kompania “Ex Fis” kishte përfituar mbi 10 milionë euro bruto gjatë viteve 2018 dhe 2019, nga monopoli për furnizim me kerozinë në aeroport, e që ia mundësonte kompania turke LIMAK e cila ka në koncesion Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Krejt kjo iu kushtonte qytetarëve të Kosovës me çmimet më të larta të biletave të fluturimit, krahasuar me vendet e rajonit, pasi që kerozina është pothuajse kostoja kryesore e një fluturimi për kompanitë avio-fluturuese.