Gazeta austriake Kleine Zeitung i ka kushtuar një artikull artistit nga Kosova, Haxhi Fejzullahu, i cili po ekspozon veprat e tij në Vjenë në nderim të komandantit legjendar Adem Jashari, transmeton rajoni.org.
Sipas kësaj gazete, Fejzullahu, i cili jeton në Austri, ka hapur ekspozitë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vienna, në kuadër të një mbrëmjeje përkujtimore dhe kulturore kushtuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë aktivitet u përkujtuan Adem Jashari, familja Jashari dhe të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës.
Gjatë mbrëmjes u prezantua edhe ekspozita “Epopeja e UÇK-së”, ku përveç Haxhi Fejzullahut, morën pjesë edhe artistët Halim Mejzini dhe Gëzim Emini.
Veprat e tyre pasqyrojnë sakrificën, rezistencën dhe historinë e popullit të Kosovës.
Vëmendje të veçantë mori një portret i madh i Adem Jashari, i realizuar nga Fejzullahu me dhe dhe qymyr.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Ambasadën e Kosovës në Vienna deri në fund të muajit prill.
