Një rast i pazakontë është regjistruar dje në Skenderaj, ku një person që është paraqitur në polici për t’u pajisur me leje armësh, ka përfunduar si i dyshuar për posedim të paautorizuar.
Sinjali raporton së ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00 në rrugën “28 Nëntori”, ku Flamur Osmani është paraqitur në Stacionin Policor për të aplikuar për dy leje armësh.
Gjatë deklarimit, ai ka bërë të ditur se që nga viti 2016 kishte blerë gjithsej 13 armë pneumatike, përfshirë 2 pushkë dhe 11 pistoleta, duke shtuar se 8 prej tyre i ishin prishur ose humbur. Sipas tij, nuk kishte qenë i vetëdijshëm se edhe për këto armë kërkohej legalizim.
Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, njësitë hetimore kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, por nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Më vonë, vetë i dyshuari ka dorëzuar në polici 2 pistoleta pneumatike dhe një pushkë pneumatike, për të cilat nuk posedonte leje, dhe të njëjtat janë sekuestruar.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe procedura po vazhdon në rrugë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.