Dyshimet për tradhti, abuzimi me alkoolin e xhelozia bëhen shpesh shkaktarë të dhunës që përjetojnë gratë në Kosovë nga partnerët e tyre. Për një rast të tillë, që ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Qikatovë të Re në Drenas është arrestuar një person, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur brenda shtëpisë ku jeton çifti, ku për shkak të xhelozisë, burri dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve të tij. Rasti ka ndodhur dje pasdite, kur gruaja u përballë me këtë situatë dhe vendosi të kërkojë ndihmë në Polici.
Në bazë të dëshmisë të viktimës, të dhënë para hetuesve policorë është kuptuar se çifti ka pasur fillimisht një mosmarrëveshje mes tyre që eskaloi në dhunë si pasojë e xhelozisë nga i dyshuari.
Raportimi i viktimës e bëri Policinë të aktivizohet, me ç’rast i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në Polici, ku ka dhënë deklaratë në lidhje me veprën me të cilën ngarkohet.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Dhunë familje”.