Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm te Klinika e Kirurgjisë Torakale, ku një pacient tentoi t’i jap fund jetës duke kërcyer nga dritarja e katit të katërt. Në gjendje serioze ai iu nënshtrua menjëherë intervenimeve, por fatkeqësisht nuk arriti t’u bëjë ballë plagëve. Ky rast ka tronditur familjen Sinani, të cilët të pikëlluar kanë marrë lajmin për vdekjen e Fadilit, raporton Sinjali.
Burimet nga QKUK kanë bërë me dije se Fadil Sinani ishte 56-vjeçar dhe akoma nuk dihen motivet që e shtynë t’i jap fund jetës.
Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar edhe SHSKUK, ku përmes një njoftimi bëri të ditur se janë marrë të gjitha masat e nevojshme, por pacienti nuk ka arritur të mbijetojë.
“Menjëherë janë ndërmarrë masat e nevojshme për ofrimin e ndihmës mjekësore, por përkundër masave reanimatore dhe ndihmës së vazhdueshme nga stafi i Klinikës Emergjente me mjekë konsultantë nga klinikat e tjera, për shkak të plagëve, pacienti nuk ka arritur të mbijetojë”, thuhet në njoftim.