Përdorimi i alkoolit po u shkakton telashe të mëdha të rinjve kosovarë, të cilët shpesh humbin kontrollin mbi veprimet e tyre, duke u bërë kështu agresivë e duke krijuar probleme, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka vepruar një person në Mitrovicën e Veriut, i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht vëllain e tij më të madh.
Sinjali mëson se e gjitha ka ndodhur në shtëpinë e tyre, kur i dyshuari në gjendje të dehur ka hyrë në dhomën e vëllait të tij dhe të njëjtin ka filluar ta rrahë duke e goditur me grushte.
Si pasojë e dhunës që përjetoi, viktima ka marrë lëndime trupore, për çka ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital. Ndërkohë rastin e ka denoncuar edhe në Polici.
I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që 32-vjeçari të hetohet në liri nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim trupor’.