E shtunë, 16 Nëntor, 2024

Konfliktet për prona i bëjnë ‘pikë e pesë’ babë e bir: Djali ia djeg veturën në oborr

Mosmarrëveshjet për prona po vazhdojnë të shkaktojnë përleshje e telashe të shumta mes qytetarëve, të cilat shpesh edhe eskalojnë në kërcënime serioze. Raste të tilla shumë shpesh ndodhin edhe brenda familjeve, ku plas sherri mes baballarëve e fëmijëve, vëllezërve e motrave, si dhe anëtarëve tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë dhe jo fort i zakonshëm ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në një familje në Kamenicë, ku një 26-vjeçar është kapur me babain e tij për shkak të disa mosmarrëveshjeve për prona.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për F.D., i cili po dyshohet se përveç konfliktit verbal që ka pasur me viktimën, ia ka djegur atij edhe veturën. Sinjali mëson se në oborrin e shtëpisë së tyre, i dyshuari dje ia ka vënë benzinën veturës dhe e ka djegur.

Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur që të kërkojë ndihmën e Policisë, me ç’rast njësitet përkatëse bashkë me Zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes.

I dyshuari është arrestuar nga zyrtarët policorë dhe është shoqëruar në stacion për intervistim, ndërkohë që është kuptuar se motiv i rastit dyshohet të jenë zënkat lidhur me pronat e tyre të përbashkëta.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit ndaj tij për veprën penale “Zjarrvënie”.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer