E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Escobar: Bojkoti i zgjedhjeve nga partitë serbe, është punë e tyre|Video

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar thotë se ai pret që të ketë një propozim nga qeveria e Kosovës për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe deri më 2 maj kur udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Bruksel.

Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore vlerësoi në një intervistë për Zërin e Amerikës, përparimin e qeverisë dhe kryeministrit të Kosovës lidhur me këtë çështje.

Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do t’i njohin zgjedhjet e së dielës në Veri të Kosovës nëse ato janë të lira dhe të ndershme dhe theksoi se i ka kërkuar Listës Serbe që të luajë rolin e saj.

Escobar tha se marrëveshja e Ohrit është e jashtëzakonshme. Ai thase kjo është një marrëveshje për normalizim dhe marrëdhënie të mira paqësore sipas standardeve evropiane, sipas kornizës evropiane, mes dy palëve- “që do t’i karakterizoja si dy fqinjë armiqësorë. Kjo ishte ajo që donim”.

Sipas tij, nëse zbatohet siç duhet, kjo mund të sjellë një epokë të re të marrëdhënieve paqësore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës

Escobar tha se Bashkimi Evropian me ndërmjetësimin e këtij dialogu, ka parashtruar një agjendë agresive në bazë të së cilës shpreson të ketë një kalendar të zbatimit të të gjitha pikave brenda vitit.

Sa për Asociacionin, ai tha se ka përparim në lidhje me këtë pikë. “Para së gjithash, që të jem mjaft i drejtpërdrejtë, kemi parë një evoluim të jashtëzakonshëm në qëndrimin e qeverisë së Kosovës dhe në veçanti të kryeministrit, për të pranuar këtë detyrim ligjor”.

Escobar u shpreh se është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme.

“Por tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cila duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra”.

Diplomati amerikan u shpreh sa i përket zbatimit, deri më tani nuk pritej ndonjë gjë, por shpreson që deri në 2 maj të ketë një propozim konkret.

I pyetur për zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës dhe bojktotin e tyre nga Lista Serbe, Escobar u shpreh se bojkotimi nuk përcakton zgjedhjet.

“Në fushatën zgjedhore në Serbi në 2019, opozita bojkotoi zgjedhjet. Dhe ne i bëmë thirrje që të marrë pjesë. Fakti që nuk mori pjesë, ishte zgjedhja e saj (opozitës). Dhe pas zgjedhjeve, ne njohëm qeverinë që u formua prej tyre”, rikujtoi ai.

“Në këto zgjedhje ne u kemi bërë thirrje dhe unë personalisht u kam kërkuar serbëve, Listës Serbe, që të marrin pjesë dhe të mos heqin dorë nga roli që kanë. Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre”.

Sipas tij, raste të tilla parashikohen nga Kushtetuta. “Ka vende të paplotësuara. Ka njerëz që nuk po marrin shërbime nga pushteti lokal sepse nuk ka pjesëmarrje. Pra nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë”.

I pyetur nëse ka ka folur me presidentin e Serbisë, Vuçiq, për t’i kërkuar të ndërhyjë, Escobar tha se nuk e përcakton ai përfundimisht nëse ata marrin pjesë ose jo në zgjedhje. “Sigurisht ai ka ndikim dhe është përpjekur ta përdorë atë ndikim. Por Lista Serbe ka këmbëngulur se ka arsyet e veta që nuk do që të marrë pjesë”.

Sa i përket Vuçiqit dhe bisedës me të, Gabriel Escobar tha se ai është shumë i shqetësuar për disa gjëra.

“Është shumë i shqetësuar për kushtet në të cilat jetojnë serbët”.

Sipas tij, është e vërtetë që ka një farë izolimi të atij komuniteti nga qeveria qendrore dhe SHBA u ka kërkuar të dyja palëve që të gjejnë mënyra për kompromis për këto çështje.

“Por e vërteta është që kemi vende të zbrazëta në institucione që duhet të plotësohen”.

Në këtë intervistë, Escobar u pyet se si do të formohet Asociacioni, kur zgjedhjet i bojkotojnë serbët lokalë.

“Kjo është një pyetje që duhet t’u drejtohet atyre. Kjo ishte një nga arsyet pse unë doja që ata të merrnin pjesë dhe vazhdoj t’i inkurajoj që të marrin pjesë në jetën qytetare dhe demokratike të Veriut të Kosovës”.

Escobar u shpreh se mendon se kjo është e rëndësishme. “Tani, ka vende pune për t’u plotësuar. Ka vende pune që duhen plotësuar dhe institucione që kanë nevojë për pjesëmarrje”.

Sipas tij, prandaj shpreson që të gjejnë një mënyrë për t’u rikthyer në institucione.

“Dhe shpresoj që të gjejnë rrugën që të marrin pjesë në të ardhmen në udhëheqjen e zgjedhur”.

Megjithatë, Escobar tha se bojkoti i tyre, nuk do të vonojë themelimin e Asociacionit.

“Jo. Ai detyrim është i menjëhershëm, është ekzistues. Pra, pavarësisht se kush është në pushtet, Asociacioni duhet të formohet”.

I pyetur rreth deklarimeve të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, se do ta zbatojë vetëm pjesërisht marrëveshjen e Ohrit, se Serbia nuk do të pajtohet që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së apo anëtarësim të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ashtu siç parashikohet në marrëveshjen e Ohrit dhe nëse veprime të tilla e rrezikojnë marrëveshjen, diplomati amerikan, Gabriel Escobar, tha se nuk e beson.

“ Të dy vendet duhet të afrohen me institucionet euroatlantike. Ky është synimi përfundimtar. Çështja e anëtarësimit në OKB, është diçka e vështirë. Ne duhet të përqendrohemi më shumë tek kandidatura tek Bashkimi Evropian, hapat e afrimit tek NATO-ja dhe tek të gjitha strukturat e tjera, përfshirë afrimin me njëri-tjetrin, gjë që do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve të tyre”, tha ai.

“Pra, ne jemi të fokusuar që përmes kësaj marrëveshjeje ta afrojmë Kosovën dhe Serbinë sa më shpejt me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara”.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer