Kërkesat për hua janë të shpeshta mes anëtarëve të familjeve. E në shumë raste pikërisht obligimet financiare bëhen edhe mollë sherri mes tyre, duke bërë që shpesh situata të eskalojë dhe të nevojitet medoemos intervenimi i organeve të rendit, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur dje në fshatin Prekaz i Poshtëm në Skenderaj, ku një person dyshohet se ka kërcënuar motrën e tij.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur pas kërkesës së 41-vjeçarit kundrejt motrës së tij, që ajo t’ia japë 100 euro. E gjithë drama dyshohet të ketë ndodhur në momentin kur viktima ka deklaruar se nuk ka para që t’i japë.
Drenciasi dyshohet se e ka kërcënuar se nëse nuk ia jep paratë që i kërkon, do ta mbysë gjithë familjen dhe më pas veten.
E frikësuar dhe e shqetësuar me këtë situatë, 40-vjeçarja ka denoncuar rastin në Polici.
I dyshuari më pas është arrestuar dhe i njëjti është vërejtur se ka lëndime trupore, për të cilat ka pohuar se i ka marrë pasi është rrëzuar. 41-vjeçarit i është ofruar ndihma mjekësore dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
I dyshuari i është nënshtruar edhe testit të alkoolit, ku ka rezultuar në gjendje të dehur dhe si pasojë ka qenë e pamundur që të intervistohet.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Kanosje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.