E martë, 24 Dhjetor, 2024

Kleriku i Vatikanit viziton Prekazin

Tridhjetë vjet pasi filloi angazhimin e tij për Kosovën, Vinçenzo Paglia, klerik i lartë i kishës katolike të Vatikanit, e vizitoi për herë të parë Prekazin.

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet reportazhi që i kushtohet vizitës së tij.

Vinçenzo Paglia, klerik i lartë i kishës katolike, ka folur rreth njohjes së tij me presidentin Ibrahim Rugova si dhe problemet mes shqiptarëve dhe serbëve.

Paglia ia kishte caktuar Ibrahim Rugovës takimin me Papën në mars 1993.

Që nga atëherë ai ishte marrë me çështjen e Kosovës.

“E dërgova Rugovën të takohej me Papën në vitin 1993, Papa ishte i befasuar nga ky njeri që ishte poet me shallin që mbante, i qetë por që ballafaqohej me një situatë dramatike në Kosovë, me një vizion paqësor shumë të bukur. Ai u bë edhe shembull në Itali dhe atë e quanin (Mahatma) Gandi i Ballkanit” – tha Paglia.

Ai ka kujtuar edhe takimin që kishte me Sllobodan Millosheviqin.

“Papa Gjon Pali 2, në fillim të luftës në Ballkan dëshironte të vizitonte Zagrebin, Sarajevën dhe Beogradin, por patriarku Pavle (i Kishës Ortodokse Serbe), nuk pranoi dhe vizita nuk ndodhi. Gjatë takimit me Millosheviqin, thoshte që nëse Perëndimi ndërhyn në çështjen e Kosovës, ajo që ndodhi në Bosnjë, do të duket si Disney Land me atë që do të ndodhë në Kosovë” – tha Paglia.

Ai shtoi se që nga ajo kohë është munduar që ta bindte Millosheviqin që t’ua kthejë shqiptarëve të drejtat e tyre elementare, shkollimin.

Ai thotë që pas tragjedisë në familjen Jashari gjithçka u komplikua për Kosovën.

“Dhuna e ushtruar nga Serbia, eksplozivët, kërkova ta vizitoja edhe Prekazin por më ndaluan sepse ishte një lajm i tmerrshëm” – kujton Paglia.

Pos këtyre, ai bashkë me Nora Visoka Weller, këshilltaren nga Universiteti i Kembrixhit që po bën studime rreth Trashëgimisë së Luftës, kishin ndihmuar Syleme Jasharin, një vajzë e cila i mbijetoi masakrës kundër Jasharëve në Prekaz, që të siguronte një pasaportë italiane pas luftës së fundit në Kosovë.

“Kërkesa më erdhi nga ju (Nora Visoka Weller), kam lexuar letrën e asaj gruaje të mbijetuar, më ka vluar zemra, menjëherë kam shkuar te ministri i Punëve të Brendshme të Italisë, që asaj duhet t’ia dhurojmë pasaportën italiane dhe ai kishte pranuar menjëherë. E tërë procedura u realizua brenda 5 ditëve” – rrëfen ai.

Me këtë veprim, ai thotë që dëshiron të transmetojë dhimbjen përballë varrezve të familjes Jashari.

“Një përkëdhelje që mund të duket me vonesë. Por nuk besoj që është e vonuar sepse dua t’u them të gjithë shqiptarëve të Kosovës që kuptimi i vuajtjeve të së kaluarës për sot, duhet të jetë një angazhim për një të ardhme më të mirë, për një të ardhme të re të Kosovës përkundër të gjitha vështirësive” – thotë Paglia.

Nora Visoka Weller, këshilltare nga Universiteti i Kembrixhit, që po bën studime rreth Trashëgimisë së Luftës, ka treguar që Syleme Jashari e kishte kontaktuar përmes disa të afërmeve të saj të cilët jetonin në Itali.

“Ajo jeton ende në Itali, Sylemja më mori në telefon tash në kohën kur ishte përkujtimi i atakut në Prekaz, ishte e emocionuar dhe kujtonte të gjitha ngjarjet e asaj kohe” – thotë Visoka Weller.

Pas vizitës në varrezat e Jasharëve, Vinçenzo Paglia, klerik i lartë i kishës katolike të Vatikanit, takoi edhe Rifat Jasharin.

Vinçenzo Paglia, klerik i lartë i kishës katolike të Vatikanit kishte filluar të merrej me Kosovën qysh në vitin 1992.

Ky ishte njeriu që shqiptarëve të Kosovës, të injoruar nga bota në atë kohë, i siguroi qasje te njëri prej njerëzve më të rëndësishëm në botë, te Papa.

Paglia ia kishte caktuar Ibrahim Rugovës takimin me Papën në mars 1993.

Ky takim solli vëmendjen e botës diplomatike për Kosovën në kohën kur po ndodhte lufta në Bosnjë dhe nuk kishte shumë njerëz jashtë Kosove që mendonin që ky vend e meritonte të jetë shtet i pavarur. Paglia u bë më i njohur më 1996 kur ndërmjetësoi mes Rugovës e Millosheviqit për marrëveshjen për rikthimin e shqiptarëve në shkolla.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer