Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpesh herë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, raporton Gazeta Sinjali.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në fshatin Sferrkë e Thatë në Pejë, ku dy persona dyshohet se kanë sulmuar fizikisht një punëtor të ambientit.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Spitalit Rajonal në Pejë kanë bërë me dije se 40-vjeçari është dërguar atje me lëndime të rënda dhe i përgjakur, ku pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se ka pësuar frakturë në hundë.
Pas intervenimit të mjekëve, gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë viktima ka dhënë dëshminë e tij organeve të hetuesisë, ku ka deklaruar se derisa ishte në vendin e tij të punës, dy persona të cilët i ka identifikuar, e kanë sulmuar fizikisht me mjete të forta.
Sipas tij, e gjithë kjo ishte bërë për shkak se dy të dyshuarit e kanë akuzuar viktimën se i ka fotografuar ata duke marrë gjësende në deponinë e mbeturinave.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore janë vënë në lëvizje dhe kanë arritur që të arrestojnë dy personat e dyshuar.
30 dhe 23-vjeçari janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, ata janë dërguar në mbajtje si të dyshuar për veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.