Prishtinë- Për shkak të mungesës të ish-shpërndarësit të postës në Komunën e Drenasit, Ismet Berisha, ka dështuar të mbahet seanca e së hënës ndaj tij dhe pronarit të fidanishtes “Bytyqi”, Sherif Bytyqi.
Berisha po akuzohet për keqpërdorim detyre, ndërsa Bytyqi për legalizim të përmbajtjes së rreme, pasi po pretendohet se duke manipuluar me fatura, i kishin shkaktuar dëm Komunës së Drenasit në shumën prej 39 mijë e 871 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi ka thënë se për të akuzuarin Berisha gjykata ka bërë të gjitha përpjekjet për sigurimin e tij në procedurë dhe policia i ka njoftuar se i njëjti gjendet jashtë vendit, ku gjatë muajit korrik do të vij për pushime.
Po ashtu, në seancën e së hënës mungoi edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar- Komuna e Drenasit, të cilët kanë qenë të njoftuar për seancën e sotme, mirëpo mungesën nuk e kanë arsyetuar.
Ndërkaq në seancën e së hënës ka munguar edhe dëshmitarja Kimete Curri për të cilën në fletëkthesë konstatohet se kjo palë me këtë mbiemër është e panjohur.
Meqenëse nuk kishte kushte për mbajtjen e gjykimit, seanca e radhës është caktuar për 26 korrik 2023.
Gjykatësi Ajvazi ka deklaruar se për seancën e radhës gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me shoqërim ndaj të akuzuarit Berisha.
Sipas aktakuzës së ngritur më 2 shtator 2020, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Sherif Bytyqi akuzohet për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme”, ndërsa Ismet Berisha për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas prokurorisë Bytyqi akuzohet se gjatë muajve mars dhe prill 2017, si pronar i fidanishtes “Bytyqi” në Klinë, ka vënë në lajthim organin kompetent, duke manipuluar me fatura ashtu që në një dokument publik të vërtetojë një çështje të pavërtetë.
Siç thuhet në aktakuzë, Bytyqi, ka dorëzuar përmes përmbaruesit privat dy fatura për pagesë në Komunën e Drenasit, në emër të mbjelljes së drunjëve në vitin 2013, në sheshin “Fehmi Lladrovci”, në Drenas, edhe pse këto fatura më herët nuk ishin pranuar nga kjo komunë dhe të njëjtat asnjëherë nuk ishin pasqyruar si faturë e papaguar.
Në aktakuzë thuhet se përmes manipulimeve me fatura, Bytyqi i ka shkaktuar dëm material Komunës së Drenasit në shumë prej 39 mijë e 871 euro.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Berisha akuzohet se gjatë muajve mars dhe prill 2017, si person zyrtar, respektivisht shpërndarës i postës në Komunën e Drenasit , në mënyrë të kundërligjshme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror nuk i kishte përmbushur detyrat e veta.
Prokuroria pretendon se Berisha më 28 mars 2017, kishte pranuar kundërshtimet për përmbarim të faturave nga zyrtarja Kimete Qorri dhe ishte urdhëruar që t’ia dërgojë përmbaruesit privat Hakif Hasi, mirëpo një veprim të tillë ai nuk e kishte bërë, duke i dërguar tek përmbaruesi këto kundërshtime më datën 6 prill 2017, respektivisht pas afatit ligjor.
Me këto veprime, prokuroria pretendon se Berisha i ka shkaktuar Komunës së Drenasit dëm në vlerë prej 39 mijë e 871 euro./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtor me vendim të formës së prerë.