E mërkurë, 15 Janar, 2025

Vrasja misterioze në Prishtinë, ende s’dihet kush janë të dyshuarit që e ekzekutuan me kallashnikov

I vrari si në filma mbrëmë në “Rrugën C” në Prishtinë dyshohet se kishte të kaluar kriminale. Në rrethana ende misterioze, viktima Blerim Daci, që dyshohej se njihej edhe si Blerim Shabani, u ekzekutua me kallashnikov nga persona akoma të paidentifikuar. Viktima, shtetas i Maqedonisë, u gjet i gjakosur në një automjet me targa të Maqedonisë Veriore. Jo fort larg vendit të ngjarjes u gjet edhe veturë e djegur me targa të Gjermanisë, e cila dyshohet se u shfrytëzua nga të dyshuarit, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë ekskluzivisht me detaje për këtë krim, informacione këto që u konfirmuan edhe nga Policia, teksa kanë nisur hetimet për ndriçimin e rastit.

Deri më tani, nuk ka pasur akoma një njoftim nga Policia e Kosovës për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve, të cilët s’janë përgjigjur as në pyetjet e Sinjalit.

Ndërkohë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë bërë me dije se hetimet për këtë rast po kryhen në drejtim të veprës penale “Vrasje e rëndë”.

“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Vrasja e rëndë”, derisa në koordinim të plotë me Policinë dhe institucionet relvante janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në mënyrë intensive, me qëllim të ndriçimit të gjitha rrethanave të këtij rasti, si dhe indentifikimit të personit/ave të dyshuar në këtë rast”.

Si përfundoi Blerim Daci në Prishtinë?

Viktima u gjet i gjakosur dhe me plagë të kallashnikovit, në veturën me targa të Maqedonisë Veriore, SK-7711-BK, me të cilën në bazë të verifikimeve që janë bërë në kufi, e ka kaluar kufirin personi Driton Tusha.

Sinjali nuk e ka publikuar menjëherë identitetin e viktimës, përkundër që ka poseduar emrin e Blerim Dacit, pasi vetura në të cilën u gjet rezultonte e Driton Tushës dhe nuk ishte konfirmuar nëse i njëjti është viktima.

Para se të tërhiqej trupi i viktimës për t’u dërguar në IML për obduksion dhe të sekuestrohej vetura, Policia gjeti veturën e të dyshuarve, dy kilometra larg vendit ku ndodhi vrasja.

Ashtu siç raportoi Sinjali, edhe Policia e konfirmoi se vetura që u dogj dyshohet se ishte shfrytëzuar nga të dyshuarit e përfshirë në rast.

“Veprimet operativo – gjurmuese të ndërmarra nga ana e policisë, më larg vendit të ngjarjes kanë rezultuar me gjetjen e një veture të përfshirë nga flaka që dyshohet të jetë vetura e shfrytëzuar nga të dyshuarit e implikuar në rast.”

Sinjali mëson se në automjetin që të dyshuarit ia vënë flakën për t’i zhdukur gjurmët, zyrtarët policorë kanë gjetur dy kallashnikovë, armë këto të cilat dyshohen se janë përdorur për vrasjen e viktimës.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer