Në tetor 2021, Xhavit Drenori dhe Ramadan Berisha u përfshinë në një incident, në të cilën u përdorën prej këpucëve e deri të grushtet.
Arsyet e këtij incidenti kanë një histori, por e cila në kushte normale, assesi nuk do duhej të përfundonte në rast penal, por kështu ka ndodhur fatkeqësisht.
Në kohë të zgjedhjeve lokale, në disa debate televizive Xhavit Drenori kishte përmendur ish-prokurorin Ibrahim Berisha, i cili ka qenë edhe zëvendëskryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, si bashkëpunëtor i kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Si duket kjo edhe ishte sherri që kishte prodhuar incidentin ndërmjet Drenorit dhe djalit të prokurorit Berisha.
Të dy protagonistët e përfshirë në incident, ia lënë fajin njëri-tjetrit se kush ishte shkaku për këtë incident.
Për fat të mirë, ngjarja ishte incizuar nga disa kamera të lokaleve në afërsi.
Por çfarë thonë dy protagonistët e këtij incidenti.
“Kësaj i ka parapri një histori. Ka qenë fushata elektorale e vitit 2019 ku unë isha në garë. Isha kandidat për kryetar në Komunën e Drenasit dhe ishte zhvillu një debat në KTV. Një debat kogja i nxehtë në mes kandidatëve dhe në një nga momentet kam përmend që gjithmonë duke aludu që sistemi i drejtësisë ka defekte sidomos Prokuroria sepse unë kisha deponu shumë lëndë atje, kallëzime penale në Drenas dhe nuk ishin zhvillu. E kisha përmend, kisha thënë kështu decidivisht z. Lladrovci si ish-kundërkandidat i imi. Pra, në atë kohë, tash kryetar komune që shko merre prokurorin Berishen edhe s’ta kam frikën, në këtë kuptim”, është shprehur Xhavit Drenori për emisionin “Betimi për Drejtësi”.
Drenori ka shtuar se kjo çfarë kishte thënë kishte prodhuar atë incident.
“Me gjasë kjo kishte ndiku, i kishte ardhë mërzi atij dhe kishte shku tek familjarët e mi, nëse nuk gaboj në të njëjtën natë në mbrëmje ose të nesërmen, nuk jam shumë i sigurt dhe kam pranu një telefonat nga kushëriri im, pra nga familjari im i cili thotë që ka qenë Ibrahim Berisha tek unë dhe ka kërku që të mos i përmendet emri nëpër televizione se është afër pensionimit dhe duke pas parasysh që djemtë e tij e kishin problem këtë dhe nuk munden me e duru”, ka shtuar ai.
Mirëpo, Ramadan Berisha thotë se ka qenë e përgatitur që të sulmohet.
“Ajo ditë unë, sipas meje ajo ditë mendoj që ka qenë e përgatitne për me m’sulmu mu për arsye se në të njëjtën ditë baba jem është dal në pension. Shihet edhe në kamera në vido-incizime që një automjet aty me përcjellë mua një kohë bukur të gjatë. Vërehet d.m.th edhe Xhavit Drenori kur del prej zyrës, aty thotë se kam dal prej zyrës së KKZ-së d.m.th në zyrën për zgjedhje mirëpo aty shihet qartë se Xhavit Drenori del prej zyrës së DD-së. Momentin kur jep me shenjë ose i bënë me dije ai personi që mendoj që ka qenë duke me përcjellë mua kur unë në atë moment ose në atë kohë kam qenë për punë të mija d.m.th në zyrën e avokatit Hafir Bytyqi”, ka thënë Ramadan Berisha.
Berisha shton se pasi kishte kryer punë tek avokati, janë takuar më Drenorin i cili në distancë dy-tri metra e kishte provokuar duke i thënë: “Ku je djali i prokurorit?”, dhe pasi ishte kthyer i ka thënë që të hynë brenda.
“Me të thanë të drejtën tash ka kalu kohë e gjatë, 2 vjet e nuk më kujtohet saktësisht mirëpo e di që i kam than çka ki kundrejt babës tem, kurgjo veç të mira të ka ba se kurgjo s’kemi diçka, s’të ka ba keq diçka dhe kundër edhe në atë kohë e kam pa provokimin e tij dhe jam dal menjëherë dhe me ka thënë qitash t’i thirri Policinë, i kam thënë thirri t’i policinë se kurgjo s’ka se ti vet më thirre mu edhe nalu”, shton ai.
Veç tjerash, ai thotë se në vazhdimësi kishte tentuar t’i shmangej këtij incidenti, por që vazhdimisht ishte provokuar, fyer dhe sharë.
Në anën tjetër, Xhavit Drenori thotë se ai ishte provokuar, duke i thënë me fjalët se “a po me njeh, unë jam djali i këtij prokurorit që po ia përmend emrin nëpër televizione”.
“Këtu ka fillu gjithçka edhe i thash “edhe”, tha kush të jep të drejtë ty dhe filloi pak të acarohet muhabeti”, shprehet Drenori.
“Filloi pastaj fyerjet e sharjet, në çdo moment i kam thënë largohu se e thërras policinë. Kjo ka qenë gjithmonë kërkesa ime që të largohet, mirëpo ai ka qenë vetë i dyti siç e shihni edhe në video dhe bënte lëvizje të çuditshme dhe shante, fyente në mënyrën më të poshtër të mundshme, më të ulët të mundshme deri në një moment kur filloi me lëvizë dhe nga afekti, nga frika, nga pra momenti ndoshta i afektit e kam zbathë këpucën, mirëpo pa i lëshu dokumentet nga dora siç shihen edhe në kamerë dhe e kam hedhë me qellim që me e largu, por i njëjti nuk është largu, përkundrazi është afru vetë i dyti dhe më sulmoi ai e tjetri i rrinte afër. Unë siç e shihni edhe në kamerë, unë veç jam mbrojte dhe derisa mi kanë rrëzu dokumentet prej dore për shkak të sulmit unë nuk kam reagu”, ka thënë tutje ai.