E mërkurë, 20 Nëntor, 2024

Dështon sërish seanca ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve, akuzohen për pengim të dëshmitarëve

Seanca ndaj të akuzuarve Sami Lushtaku, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Sheremet Jashari, Bajram Dibrani, Skënder Tahiri dhe Rrustem Rrukolli, për pengimin e dëshmitarëve dhe frikësimin e tyre ka dështuar të mbahet sot.

Arsye për dështim të seancës ishte mosprezenca e Sami Lushtakut dhe Sheremet Jashari, të dy munguan për arsye të ndryshme.

Avokati i Sami Lushtakut, Artan Qerkini i dorëzoi gjykatës raporte mjekësore të datës 18.07.2023, për klientin e tij, për ta arsyetuar mungesën e tij për shkaqe shëndetësore.

Kurse i pandehuri Sheremet Jashari mungoi në seancë për faktin se gjykata nuk ishte e informuar se i njejti gjendej nën masën e arrestit shtëpiak në një çështje tjetër penale.

Edhe seanca e kaluar më 5 qershor të këtij viti kishte dështuar të mbahej në të cilën kishte munguar i pandehuri Sami Lushtaku dhe Fatmir Mjaku.

Dëshmitarët të cilët sipas prokurorisë janë penguar dyshohet se kanë dhënë deklarata të rrejshme në shqyrtimin gjyqësor ku po gjykoheshin Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Sabit Geci dhe Ismet Haxha për rastin e arratisjes nga QKUK-ja.

Sipas prokurorisë ata dyshohet të kenë mohuar deklaratat e dhëna në procedurë paraprake si rezultat i ndikimit nga të pandehurit.

Sipas prokurorisë, të pandehurit kanë nxitur dëshmitarin “C” për të dhënë deklaratë të rrejshme, duke i premtuar vend pune dhe i kanë ofruar shumën e parave në shumë prej 40 mijë euro dhe një banesë në lagjen Dardania në Prishtinë.

Në këmbim të mohimit të deklaratës në procedurë paraprake, të pandehurit i kishin paguar dëshmitarit “C” edhe trajtimin e gruas së tij në spital.

Kjo deklaratë e rrejshme kishte penguar në gjykimin e rastit P.938/13, ku ishin liruar nga akuza të pandehurit Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Sabit Geci, thuhet në dosjes së prokurorisë.

Përveç këtij dëshmitari, ata dyshohen se kanë ndikuar edhe në një dëshmitar tjetër duke e kërcënuar

Sipas dosjes së prokurorisë, veprimet e të pandehurve në procedurë përbëjnë shkeljet sipas Kodit Penal: “Pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare dhe “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pjesëmarrje në një grup të organizuar kriminal”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 prill 2020 kishte shpallur aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), e cila kishte ndodhur në vitin 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Përveç Lushtakut, me nga 1 mijë euro gjobë ishin dënuar edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellje të Lushtakut, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena.

Ndërsa të gjithë të akuzuarit tjerë, përfshirë edhe djalin e Lushtakut, Mërgim Lushtaku, si dhe Emrush Thaçi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj, ishin liruar nga akuza.

Por, aktgjykimi ndaj të akuzuarit Thaçi dhe Shatri ishte anuluar nga Gjykata e Apelit.

“Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë sa i përket pjesës liruese për pikat 1 dhe 2 për të akuzuarin E. Th. për dy vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, dhe për të akuzuarin N. Sh. në pikën 14, për vepër penale “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, “Falsifikim i dokumentit” dhe “Lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria”, dhe për pikën 15 për vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”. Çështja penale për këto pika është kthyer ne rigjykim”, thuhej në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Për dy raste të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar po akuzohej i pandehuri Thaçi, ndërsa për një vepër të kësaj natyre po akuzohet i pandehuri Shatri, i cili po dyshohet edhe për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentit” dhe veprës penale “Lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria”.

Tutje Emrush Thaçi dhe Nexhib Shatri ishin liruar prapë në rigjykim nga akuza me aktgjykim të shpallur nga gjykatësi Agim Kuçi.

Ndryshe, prokurori i EULEX-it, Romelu Matues, kishte ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve më 17 nëntor 2016, të cilët i ngarkon me disa vepra penale e që lidhen me arratisjen e Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK, të cilët ishin dënuar në rastin e njohur si “Grupi i Drenicës”, dhe që në këtë qendër kishin shkuar për të marr shërbime mjekësore, për shkak të problemeve shëndetësore.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për këto vepra penale “Pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare”, “frikësim gjatë procedurës zyrtare” si dhe “për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”.

Për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal akuzohen edhe Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjakum, Skënder Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.

Ndërsa, Mërgim Lushtaku, Dardan Geci dhe Mervete Hasani Lushtaku, akuzoheshin për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria.

Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, akuzoheshin për veprën penale të “Ofrimit të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale si dhe lirim i jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria”.

Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, akuzoheshin për veprën penale pengimi i Dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale në bashkëkryerje”.

Emrush Thaçi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka dhe Nexhib Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj akuzoheshin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjoka e Shatri, gjithashtu akuzoheshin edhe për falsifikim të dokumenteve dhe lehtësim i arratisjes për personat e privuar nga liria.

Tutje, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena, akuzoheshin për lirim të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 22 shtator, e cila do të ketë prapë cilësinë e procedurës statusore, ku do të koordinohen për seancat e radhës dhe radhën e dëshmitarëve që do të dëgjohen.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer