Telashet familjare shpeshherë kalojnë muret e shtëpive, për shkak të eskalimit të situatës ku nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. E në shumë raste viktima janë fëmijët që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga prindërit e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në një familje në fshatin Likoshan të Drenasit, ku një person dyshohet se ka kërcënuar vajzën e tij 37-vjeçare.
Sinjali mëson se pas një konflikti verbal mes tyre, i moshuari ka eskaluar në kërcënime, duke i thënë të bijës se do ta vrasë.
E shqetësuar nga kjo situatë, viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku mes të tjerave ka bërë me dije se babai i saj posedon edhe një armë zjarri.
70-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku gjatë intervistimit ka pranuar se posedon një armë zjarri, e cila më pas është sekuestruar.
Me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e dy veprave penale ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.