E enjte, 19 Shtator, 2024

“Të fortit nga Diaspora”, dy mërgimtarë dënohen brenda 24 orëve për kërcënimet ndaj deputetëve përmes Facebook’ut

Në dhjetor të vitit 2022, dy raste të kanosjes kishin ndodhur në drejtim të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Ganimete Musliut nga radhët e PDK-së dhe Avdullah Hotit të LDK-së, nga persona të ndryshëm, një mërgimtar nga Zvicra dhe tjetri nga Gjermania, shkruan Reporteri.net. Një vit e gjysmë pas, brenda 24 orësh, Gjykata Themelore e Prishtinës i ka dënuar të dy të dyshuarit – mërgimtarë, njëri nga Zvicra e tjetri nga Gjermania.

Mërgimtari nga Zvicra, përmes telefonit e kishte kërcënuar deputeten Musliu, e që i njëjti gjatë ditës së djeshme është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, me datë 23 dhjetor 2022 rreth orës 17:16, derisa Musliu ishte në veturën e saj në lagjen e “Spitalit” në Prishtinë, i akuzuari Driton Maloku përmes telefonit mobil e kanos të dëmtuarën Ganimete Musliu në cilësinë e deputetes së Kuvendit të Kosovës me fjalë “A je ti Ganimetja, ty duhet me te zhduk” e pas disa minutash rreth orës 17:35 i dërgon një mesazh përmes telefonit mobil me tekstin “Përshëndetje Ganimete, Aje tu ma kry qat pun me shti qat personin ne pun per qka je pagu a po i kthen qato 20,000.00 euro qe mi ke mar për me kry pun”, me çka tek e dëmtuara Ganimete Musliu ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetën dhe trupin e sajë.

Maloku, dje nga Gjykata Themelore në Prishtinë u dënua me 6 muaj burgim, të cilën mund ta zëvendësojë në dënim me gjobë në shumën prej 5 mijë euro, me pëlqim të të akuzuarit, mirëpo deputetja e PDK-së e vlerësoi si dënim të ulët, ndërsa paralajmëroi se do të ndërmarrë veprime tjera të nevojshme për ta kundërshtuar.

“Përndryshe, konsideroj se dënimi ndaj personit që më kanosi, është shumë i ulët dhe do të konsultohem me avokatin tim për të ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’a kundërshtuar me ankesë”, kishte shkruar Musliu në Facebook.

E rasti i njëjtë ka ndodhur edhe sot, ku Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me 4 muaj burgim, ose zëvendësim të dënimit me 2 mijë euro gjobë me pëlqim të të akuzuarit, një mërgimtar nga Gjermania.

Reshat Sadiku nga Gjermania e kishte kërcënuar ish-kryeministrin, njëherit deputetin e LDK-së, Avdullah Hoti në rrjetin social “Facebook”, me fjalët “Ty mor bugar vetëm kosa të vjen hakesh”.

Me të dalë para gjykatës, sot, mërgimtari u afrua pranë deputetit Hoti, duke i thënë se i “gjunjëzohet, por që probleme të tilla s’ka pasur asnjëherë”.

“Kam kontribu shumë, tash më ndodhi kjo. Me të vërtetë gjunjëzohem para jush, se nuk jam njeri i tillë, kurrë në gjyq s’jam kanë as kurrë këso probleme s’kam pas”, tha ai në gjykatë.

“Ndryshe, dënimin më gjobë i akuzuari obligohet që ta paguajë në dy këste në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Por, një gjykim shumë shpejt pritet të zhvillohet pikërisht për kërcënimet në rrjete sociale, pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 28 korrik të këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj një personi i cili kishte kanosur deputeten e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi përmes rrjetit sociale Facebook.

Sipas aktakuzës, i pandehuri i lartcekur, më 02.05.2023, rreth orës 19:00, përmes rrjetit social “facebook”, me dashje dhe me qëllim të frikësimit e ka kanosur seriozisht të dëmtuarën A.M-SH., deputete e Kuvendit të Kosovës, për shkak të detyrës së saj, ashtu që i pandehuri nga një profil në rrjetin social “facebook” i drejtohet: “…sa te vije ne pushim… edhe dy muj i ke jete midis Prishtinës ka met masakrue…”, ku me këtë rast tek e dëmtuara është shfaqur ndjenja e frikës, ankthit dhe e pasigurisë për jetën, andaj me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale të kanosjes.

Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i kishte propozuar Gjykatës që të pandehurit t’i caktohet masa e paraburgimit dhe i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.​

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer