Drejtori i Institutit për Politika Sociale” Musine Kokalari”, Visar Ymeri, dikur ish-kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka folur për dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes Armend Mehaj.
Sipas tij, ata që nuk janë rreth i ngushtë i Lëvizjes Vetëvendosje e kanë të vështirë të qeverisin me dikasterin e tyre.
“Po duket që secili njeri që vjen nga jashtë, në kuptimin jo nga jashtë Kosovës, por nga jashtë rrethit të ngushtë të Lëvizjes Vetëvendosje po e ka të vështirë për me qenë i lirë në punën e vet dhe në qeverisjen e dikastereve të cilët u janë besuar”, është shprehur Ymeri për Front Online.
Thotë se sikur edhe ky të ishte në vendin e Mehajt do të jepte dorëheqje.
Dhe, këtë e thotë për një arsye.
“Mospajtimi i Mehajt me atë se çka po i bëhet Kosovës, veçanërisht FSK-së, e posaçërisht për përjashtimin e FSK-së nga “Defender Europe 2023”, është për mendimin tim mospajtim edhe i duhur, edhe konceptual edhe politik dhe për këtë natyrisht që ka dhënë dorëheqje dhe kisha dhënë edhe unë dorëheqje sepse çka i ka ndodhë FSK-së, me masat për të cilat Kurti nuk është brengos fare duke marrë parasysh edhe sanksionet që mund t’i vijnë Kosovës mendoj që është arsye e mjaftueshme për t’u larguar”, ka thënë Ymeri.
Ndërsa, kur është pyetur për sukseset dhe dështimet e kësaj Qeverisë, ai ka deklaruar se dështime ka shumë, ndërsa një e mirë është se kjo Qeveri është fokusuar në sferën e energjetikës.