E hënë, 18 Nëntor, 2024

Ankesa për “ndërtim të rrezikshme” në Skenderaj!

Fejzullah Smajli nga Skenderaj ka shprehur shqetësimin për sigurinë e tij dhe të familjes, pas plasaritjeve që i janë shfaqur në shtëpi, si pasojë e ndërtimeve që po zhvillohen në rrugën e tij.

Me gjithë ankesën, ai ka thënë se nga organet komunale nuk ka pasur veprime për t’i garantuar siguri.

“Këtu nuk është puna vetëm te rruga. Jemi në rrezik, e tërë familja. Domethënë prej 21.07 kam shkuar në organet gjegjëse. Shihen dëmet që i sjell për përfitime personale dhe shihet në këtë drejtim se çfarë dëmi është bërë. Përkrahje nuk ka nga askush, nga shteti, shteti nuk ka marrë asgjë”, ka thënë Smajli.

E Avdi Hamiti, pronar i një shtëpie matanë rrugës ku po bëhen ndërtime, shpreh dyshimin se si pasojë e ndërtimeve, banorët do të detyrohen të largohen nga pronat e tyre dhe t’ua sheshin ndërtuesve shtëpitë, me çmim të lirë.

“Domethënë nuk të pyesin fare. Unë e kam shtëpinë këtu, në anë të kundërt, mirëpo kam dëgjuar që pasi të rrënohen këto shtëpi këtu dhe pasi të bëhen të gjitha këto ndërtime, do të fillojë edhe ana tjetër e rrugës”, ka thënë Hamiti.

Por Fadil Nura, kryetar i Komunës së Skenderajt, i mohon këto pretendime. E për dëmet që u janë shkaktuar disa shtëpive, ai thekson se shkaktar është dheu që është hedhur aty nga një kompania e tullave, që ka funksionuar në kohën e ish-Jugosllavisë.

“Ne lejet i japim në përputhje me planin zhvillimor dhe hartën zonale, e kemi hartën zonale të certifikuar nga Ministria e Planifikimit dhe mbi bazën e saj japim edhe lejet ndërtimore në zonat ku është i paraparë ndërtimi. Tani, problematika e përbërjes së dheut është diçka që nuk e di, nuk jam ekspert, nuk mund të parashikohet ajo, por e di që kompania – kam parë raport që i kanë bërë sondimet gjeomekanike të asaj pjese, që nuk kanë mundur ta parashohin atë pjesë të përbërjes së dheut të qitur, që është shembur në pjesën e pronës publike”, u shpreh Nura.

E nga dy kompanitë e përfshira në ndërtime, “ASONS” dhe “Andrra”, thanë se gjatë punimeve kanë zbatuar standardet më të larta, porse megjithëkëtë ka ndodhur një rrëshqitje e paplanifikuar e tokës. Në “ASONS” e shprehën gatishmërinë për t’i kompensuar banorët në dëmet e shkaktuara.

“Gjatë fazës së gërmimit ka ardhur deri te një rrëshqitje e paplanifikuar e tokës, jo me fajin tonë, por për shkak se aty, në pjesët e epërme jashtë perimetrit të ndërtimit kishte pasur një masë të dheut, e cila ka qenë johomogjene. Ne i kemi marrë të gjitha masat e nevojshme dhe iu kemi përgjigjur si autoriteteve lokale ashtu edhe banorëve, duke angazhuar ekspertë të pavarur rreth vlerësimeve të gjendjeve në terren, si dhe për çdo dëm eventual të shkaktuar marrim përsipër që ta evitojmë dhe ta kthejmë në gjendjen e mëparshme, duke e përfshirë edhe rrugën dhe infrastrukturën tjetër përcjellëse”, ka deklaruar Shkëlqim Veseli, menaxher në “ASONS”.

E krahas dëmeve në shtëpitë dhe nëpër rrugët e lagjes, ndërtimet kanë shkaktuar edhe rrëzimin e dy shtyllave të rrjetit kabllor dhe atij elektrik.

VIDEO

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer