Me dekretin e presidentes Vjosa Osmanit, sot u zgjodh guvernatori i ri i Bankës Qendrore të Kosovës Ahmet Ismaili, emri i të cilit jo rrallë herë u lakua në media, por jo për të mirë.
Ismaili është personi para syve të të cilit iu “avulluan” 2.1 milionë euro Thesarit të Shtetit, pasi që në atë kohë ky i fundit ishte në pozitën e drejtorit, por përveç kësaj parregullsi pati edhe në përzgjedhjen e tij si guvernator i BQK-së.
Në vazhdimësi mediat kishin raportuar për tërheqjen e Britanisë së Madhe nga monitorimi i këtij procesi për shkak se pa asnjë sqarim publik, pa e parë askush ndonjë vendim, emrat e përzgjedhur në konkursin e parë për guvernator të BQK-së nuk shkuan për shqyrtim në Kuvend.
Banka Qendrore e Kosovës shpalli konkursin e ri për këtë pozitë, por në listë figuronin emrat e njëjtë.
Ahmet Ismaili e Lulzim Ismajli ishin dy kandidatët që për herën e dytë me radhë ia kishin mësyrë postit të guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, raporton Periskopi.
Neni 110 i Rregullores së Punës së Kuvendit thotë se në raste kur kandidatët nuk i plotësojnë kushtet, atëherë Kryetari i Kuvendit duhet ta njoftojë institucionin në fjalë për këtë fakt. Pra, Komisioni kishte pretenduar se këta anëtarë nuk i plotësojnë kushtet.