Vajzat dhe gratë vazhdojnë të mbeten viktimat më të shpeshta të dhunës në familje. Bashkëshortët janë ata që më së shumti ushtrojnë dhunë sistematike në mënyra të ndryshme ndaj tyre, siç ka ndodhur para disa ditësh me një grua në Vushtrri. Gazeta Sinjali raportoi se burri i saj dyshohet se e ka rrahur brutalisht me shkop druri dhe për pasojë, viktima përfundoi në spital.
Denoncimi i saj ka aktivizuar Policinë dhe Prokurorinë, me ç’rast pas arrestimit, ndaj tij u bë kërkesë për masën e sigurisë.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se bëhet fjalë për të dyshuarin Lavdim Uka, ndaj të cilit Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji.
Ndryshe, 43-vjeçari dyshohet se pas një konflikti verbal ka eskaluar në dhunë fizike ndaj bashkëshortes, duke e goditur atë me mjet të fortë dhe duke i shkaktuar lëndime trupore, mëngjesin e së premtes.
Pasi organet e rendit janë vënë në dijeni për rastin, gruaja bashkë me fëmijët janë dërguar në strehimore për shkaqe sigurie.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.