Adnan Januzaj është totalisht jashtë planeve të Sevillas dhe trajnerit të spanjollëve Jose Luis Mendilibar. Në shkurtin e këtij viti, sulmuesi u transferua nëpërmjet formulës së huazimit në Turqi te Istanbul Basaksehir. Por, dy golat në 11 ndeshje për ekipin turk nuk mjaftuan për të bindur drejtuesit e Basaksehir dhe ai u rikthye sërish në Spanjë.
Për momentin, Januzaj nuk ka marrë asnjë ofertë dhe është detyruar të stërvitet i diferencuar nga pjesa tjetër e skuadrës së Sevillas. Lojtari 28-vjeçar ka edhe tre vite të mbetura në kontratë me andaluzianët dhe për të gjitha palët kjo është një situatë e sikletshme.
Drejtuesit e Sevillas nuk kërkojnë t’i mbyllin kontratën në mënyrë të njëanshme pasi do t’iu duhet ta dëmshpërblenin ndërsa nga ana tjetër, nëse Januzaj nuk gjen një destinacion të ri, rrezikon që për pjesën e mbetur të sezonit të qëndrojë jashtë fushave dhe të mjaftohet me seancat e stërvitjes individuale.
Januzaj u transferua te Sevilla me parametër zero nga Real Sociedad në verën e vitit 2022, por nuk ia doli në asnjë moment të përshtatej ashtu si në periudhën kur u aktivizua me skuadrën baske. /SS/