Edhe sivjet tekstet shkollore do të subvencionohen nga shteti, por për dallim nga vitet e kaluara, kësaj radhe prindërit do të jenë të obliguar t’i blejnë ato e më pas do t’i marrin mjetet përmes aplikimit në platformën eKosova. Nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën do të subvencionohen me 80 euro për tekstet shkollore, ndërsa ata nga klasa e gjashtë deri në të nëntën do të subvencionohen me 30 euro, pasi i kanë të siguruara librat nga viti i kaluar. Qeveria ka alokuar rreth 13 milionë euro për këtë qëllim.
Gjatë ditës së djeshme ministrja Arbërie Nagavci tha se kanë përfunduar procedurat e pagesës për grupin e parë të aplikuesve që kanë aplikuar deri më datë 29 gusht për furnizim me tekste shkollore dhe materiale mësimore e që janë mbi 81 mijë përfitues, derisa ka bërë të ditur se afati për aplikim do të jetë deri në fund të shtatorit.