Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda e ka pyetur ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, se ku janë mostrat e aktivistit Astrit Dehari, të cilat janë zhdukur 273 ditë më parë.
Gruda, në një reagim në Facebook, tha sot se ministrja Haxhiu po tenton të fshihet prapa veprimeve të saj, duke e sulmuar prokurorinë.
“Sot janë bërë 273 ditë, që nga 8 dhjetori i vitit të kaluar, kur në Ministrinë e Drejtësisë janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit. Për tetë muaj të plotë, ministrja Albulena Haxhiu ka dështuar të jap një sqarim të vetëm për familjen e Astritit dhe qytetarët e vendit”, ka thënë ai.
“Në vend të llogaridhënies dhe dhënies së përgjegjësisë, ajo po tenton të fshihet duke sulmuar prokurorinë. Ky nuk është qëndrimi i vetëm kontradiktor dhe jo profesional i kësaj ministre”, ka deklaruar Gruda.
Ai ka thënë se gjatë kësaj periudhe, “ne kemi parë që përveç sulmeve direkte ndaj prokurorisë, ajo ka marrë në mbrojtje të korruptuarit e partisë së saj”.
“Albulena Haxhiu, në kundërshtim me rolin e saj për të ruajtur dhe forcuar integritetin e organeve të drejtësisë, është shndërruar në një zëdhënese të të akuzuarve për korrupsion, Martin Berishaj, Nagip Krasniqin, Rozeta Hajdarin dhe të tjerët”, ka thënë Gruda.