Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka folur për takimin e 14 shtatorit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq, ku thotë se nëse nuk ka koordinim me Amerikën atëherë sipas tij nuk pritet asgjë.
Lladrovci në një prononcim për GazetaBlic thotë se, është e rëndë ta shohësh në lirinë e Kosovës që Kryeministri yt të ketë disfata nga ata të cilët i mundem me diplomaci dhe me luftë.
“Nëse para takimit dhe gjatë takimit nuk ka koordinim mes Kryeministrit dhe Amerikës, nuk pres asgjë përtej deklaratave populliste.Është e rëndë ta shohësh në lirinë e Kosovës që Kryeministri yt të ketë disfata nga ata të cilët i mundem me diplomaci dhe me luftë”, tha Lladrovci.
Lladrovci thotë se nuk ka shumë pritje nga ai takim, por sipas tij heqja e sanksioneve do të ishte sukses.
“Pritjet i kam të pakta sepse rruga trevjeçare e diplomacisë tonë, do të duhet të ishte fuqizim i marrëdhënieve me aleatët. Për mungesë koordinimi me aleatët, kemi pasoja të mëdha, dhe të paimagjinueshme për vendin tonë.Në këto rrethana, heqja e sanksioneve ndaj Kosovës, do të ishte sukses”, shtoi ai.
Lladrovci është skeptik se mund të ketë marrëveshje finale Kosovë-Serbi, për ketë ai thotë se pret vetëm mosmarrëveshje.
“Vetëm mosmarrëveshja pres të jetë epilogu i këtij takimi. Kjo gjendje i shkon për shtati Serbisë e cila ka avansuar raportet me miqtë tanë jetik, ne ju kemi bërë karshillëk të padobishëm”, tha ai.
Si pasojë e mos-koordinimit me aleatët, Lladrovci paralajmëron se Kosovës do t’i mbesin vetëm detyrimet e rënda.
“Neve do të na mbesin detyrimet e rënda dhe të padrejta që erdhën si pasojë e moskoordinimit nga ana e aleatëve (ShBA dhe BE-ja). Jam pesimist për këtë takim dhe uroj që të mbledhim mend e të koordinohemi me aleatët se pa ta asnjë ditë nuk i shkon mbarë Kosovës”, tha Lladrovci.