Policia e Kosovës, konkretisht ILECU-FAST Kosova, në koordinim me Drejtorinë e Migrimit, në vazhdën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar me shtetet partnere, sot ka arrestuar një person të dyshuar i cili kërkohej me urdhër-arrest ndërkombëtar.
Personi i dyshuar J.P., (viti I lindjes 1995, mashkull shtetas serb), kishte rezultuar i kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga Interpol, njofton policia.
Me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ku më pas do të vazhdohet me procedurat e parapara për rastet e tilla.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha dukurive të kundërligjshme në vend, përfshirë edhe forcimin e bashkëpunimit policor në rrafshin ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e PK-së.