E shtunë, 16 Nëntor, 2024

Heronj pa kushte- policia pa jelekë anti-plumb, shtesa të rrezikshmërisë, këpucë…

Operacioni i suksesshëm për parandalimin e një sulmi terrorist i Policisë së Kosovës nga një grup kriminal serb prej përreth 30 personave të armatosur rëndë riktheu epitetin e ‘heronjve’ për zyrtarët policorë. Megjithatë, epitetet vlerësuese policëve nuk po u kryejnë punë. Atyre ju mungojnë jelekët e rinj anti-plumb, këpucët e reja e shtesat e rrezikshmërisë.

Para disa ditësh u raportua për dështim të tenderit për furnizim me jelekë anti-plumb, pas dy vitesh zvarritje, shkruan Gazeta Insajderi.

Gjykata e Tenderëve gjeti shkelje të Ligjit të Prokurimit në tenderin që prej katër milionë eurosh, duke e rikthyer disa herë në rivlerësim.

OSHP-ja këtë vit i dha të drejtë operatorit ekonomik ‘Sodex Group’ në ankesën e tyre, duke çuar në anulimin e aktivitetit të prokurimit.

Në njërën nga pretendimet ankimore, të aprovuara nga OSHP-ja, operatori ekonomik ankohej se konsorciumi i kompanive të përcaktuara ta fituar tenderin “PRICOM SHPK & Seyntex SV” nuk kishte ofruar produkt në përputhshmëri me kërkesën e kërkuar nga Dosja e Tenderit.

“Në bazë të përshkrimeve të lartcekura, paneli duke konsideruar se OE nuk ka plotësuar plotësisht specifikat teknike të parashtruara nga AK në Dosjen e Tenderit, si dhe duke qenë se aktiviteti i prokurimit përmban natyrë të ndieshme, mbrojtjen e shëndet të zyrtarëve policorë, zgjidhja më e duhur po ashtu duke aplikuar nenin 104 të LPP ishte anulimi i tërësishëm i aktivitetit të prokurimit”, thuhet ndër të tjera në vendimin e OSHP-së.

Vendimi i OSHP-së për anulim të tenderit

Policia e Kosovës më 2021-ën përmes këtij tenderi kishte planifikuar që të blejë 600 copë jelekë antiplumb të brendshëm, 2 mijë e 300 antiplumb të jashtëm dhe 350 antiplumba taktik për Njësi Speciale.

Situatë e ngjashme u bë edhe me çështjen e furnizimit me këpucë të reja ‘uniformat e kaltërta’.

Në maj të këtij viti u njoftua anulimi i aktivitetit të prokurimit për furnizim me këpucë të reja u bë për faktin se nuk pati oferta të përgjegjshme.

Shtesat e rrezikshmërisë janë një shqetësim tjetër që është adresuar disa herë.

Tash e gjashtë muaj, policët nuk kanë marrë shtesat e rrezikshmërisë për orar të zgjatur e rrezikshmëri në punë. Këto shtesa u eliminuan pas funksionalizimit të Ligjit të Pagave në shkurt të këtij viti.

Sindikata e Policisë së Kosovës për këtë ka paralajmëruar disa herë veprime sindikale, si dhe i ka kërkuar Avokatit të Popullit ta dërgojë Ligjin e Pagave për vlerësim të kushtetutshmërisë.

Nga Qeveria patën thënë këto shtesa janë “ritransformuar” dhe një pjesë e saj është përfshirë në pagë.

“Shtesa e rrezikshmërisë është ritransformuar një pjesë e saj është përfshirë në pagë, dhe tani jemi në diskutim e sipër për kategoria të caktuar që mund të përfitojnë pasi që ekspozohen mbi proporcionalisht me rrezikun, momentin që vendoset ka edhe kompensim retroaktiv”, pati deklaruar Murati.

Zyrtarët policorë tash e 24 vite po obligohen që barnat e shërbimet e tjera shëndetësore t’i mbulojnë nga xhepi i tyre. Kjo, pasi që policët tash e 24-vite kanë mbetur pa sigurim shëndetësor.

Kryetari i sindikatës së policëve, Imer Zeqiri, ka thënë se nga Qeveria Kurti s’ka marrë ndonjë përgjigje konkrete për çështjen e sigurimit shëndetësor.

Rreth 50 zyrtarë të Policisë së Kosovës dhanë dorëheqje vullnetare që nga fillimi i këtij viti deri më tash.

Arsyet kryesore të këtyre dorëheqjeve, kryesisht ishin me kushtet e punës.

Kujtojmë se në orët e para të së dielës, si pasojë e një sulmi në drejtim të Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serb në Zveçan, mbeti i vrarë rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku dhe i plagosur Alban Rashiti.

Policia, në koordinim me KFOR-in dhe EULEX-in arriti të futej në Manastirin e Banjskës së Zveçanit, aty ku u ngujuan grupi i armatosur serb. Përbrenda manastirit u gjet një arsenal armësh.

Deri më tani, nga ky grup kanë ngelur të vrarë katër persona dhe janë arrestuar dy të tjerë. Mediat në Serbi kanë raportuar se dy të tjerë janë trajtuar mbrëmë në Novi Pazar.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer