Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë të Kosovës në rajonin e veriut, ka thënë se qëllimi i Policisë në aksionin e Banjskës tre ditë më parë, nuk ka qenë vrasja e grupit sulmues, por lirimi i territorit nga grupi i armatosur.
Në një deklaratë për mediat, pas lirimit të fshatit për qarkullim, Elshani ka thënë se hetimet për rastin do të marrin “kohë të gjatë”. Ai ka thënë se edhe për Policinë ka qenë habi që është gjetur ky vend për të kryer sulme, pasi sipas tij, vendi është karakterizuar me qetësi në vazhdimësi. Ai ka shtuar se gjithçka ka mundur të jetë vetëm për shkak të afërsisë me territorin e shtetit të Serbisë.
“Bastisja, kontrolli sa i përket zonës së banimit ka përfunduar. Kemi bë kontroll goxha të mirë edhe të rrethit, por nuk autorizohet lëvizja në këtë vend sepse ka mundësi të ketë mjete të paeksploduara sepse kemi gjetur shumë në mal. Do të dalin ekipe për kërkime. Autorizimi për ju (mediat) është bë që të mos ketë terr informativ, por konsiderojmë se rreziku s’ka kaluar ende edhe pse konsiderojmë se një numër të madh të pajisjeve dhe gjësendeve i kemi gjetur”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se barrikadat kanë qenë në një urë dhe se aty është vrarë polici Afrim Bunjaku. “Ka pas shkëmbim dhe më pas kanë ardhur njësitet tjera shtesë dhe nga aty ka nisur gjithçka”, ka thënë Elshani.
Elshani ka thënë po ashtu se Policia është e gatshme për raste të ngjashme të grupeve të armatosura dhe se “ka marrë mësime të shumta nga ngjarja në Banjskë”.
“Planifikimi nga policët në vendngjarje ka qenë shumë i mirë. S’kemi pas qëllim me i vra 30 vetë. S’kemi pas qëllim asnjë vrasje. Kemi pas qëllim ta lirojmë territorin tonë nga grupet kriminale. Nëse ka pasur të lënduar e viktima ishte pjesë e procesit. Konsiderojmë se e kemi arritur qëllimin tonë që me sa më pak dëme të arrijmë qëllimin”, ka thënë ai.
Elshani ka thënë se për çdo veprim policor kanë vepruar në koordinim me EULEX-in. Ai ka shtuar se fshatarët në Banjskë kanë qenë bashkëpunues.
Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin pasues të Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e tetë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.