Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur dje, ka shkarkuar Bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes “Trepça”. Pas gati dy vitesh, si Ushtrues i Detyrës së Kryeshefit të “Trepçës”, Enis Abdurrahmani ishte shkarkuar nga kjo pozitë. Vendin e tij e ka zënë Enes Muzaqi i cili është kushëriri i deputetit të VV-së, Besim Muzaqi.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, dje ministrja e Ekonomisë, propozoi shkarkimin e Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës”, propozim i cili mori votat e kabinetit qeveritar.
Kurse, në mbledhjen që nisi në ora 10:00, Bordi Mbikëqyrës vendosi që të shkarkoi Abudurrahamanin.
Ky vendim i bordit u konsiderua joligjor. Bordi i ri sot ka mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme dhe ka shfuqizuar vendimet e djeshme të ish bordit duke i cilësuar joligjore pasi nuk kishin kuorum. Kësisoj është anuluar edhe vendimi i shkarkimit të Abdurrahmanit dhe zgjedhje e Muzaqit në krye të ndërmarrjes.
“Në këtë rast nuk kanë pasur kompetencë, dhe nuk kanë pasur kuorum për të mbajtur mbledhje pasi që të njëjtit kanë qenë të shkarkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës pra kanë mbajtur mbledhje përkundër faktit që të njëjtit janë shkarkuar, dhe të gjitha vendimet janë jo ligjore”, thuhet në njoftim.
Emërimi i kushëririt të deputetit të VV-së në krye
Bordi Mbikëqyrës i “Trepça”, Sh. A. dje kishte emëruar në detyrën e U.D. Kryeshefit Ekzekutive te Trepça SHA, Enes Muzaqi i cili ka afërsi me deputetin e VV-së, Besim Muzaqi.
Deputeti Muzaqi, i kontaktuar nga Gazeta Insajderi ka mohuar se ka pasur ndikim në emërimin e tij
“Enesi është kushëri i imi. Në pyetjen tuaj se a kam ushtruar ndikim në punësimin e tij përgjigjja është JO. Ai punon në Trepçë prej së paku 15 vite më parë dhe pandërprerë. Ndërsa emërim nuk besoj që mund të bëjë një pjesë e bordit që nuk kanë kuorum(3 persona) e të cilët në të njëjtën orë shkarkohen”, tha ai në një përgjigje për Gazetën Insajderi.
Enis Abdurrahmani u shkarkua pas shqyrtimit të raporteve të prodhimit, financiare e të shitjes.
“Për shkak te mos përmbushjes se detyrave te punës, neglizhencës dhe keq menaxhimit Bordi Mbikëqyrës i “Trepça”, Sh. A. vendosi njëzëri te shkarkoje nga detyra e U.D. Kryeshefit të “Trepça”, Sh. A. z. Enis Abdurrahmani” – thuhet në njoftim.
Madje, në arsyetimin e vendimit thuhej se ai ka kërcënuar punëtorët e “Trepçës” me largim nga puna, suspendim e ndalje të mëditjeve dhe shtesave.Por, ky vendim sot është konsideruar si i jashtëligjshëm nga Bordi i Përkohshëm sepse sipas tyre Organi publik që e nxjerr këtë vendim ka vepruar pa pasur kompetencë.