E martë, 1 Tetor, 2024

Aksioni i Policisë në Skenderaj: Ky është personi që u arrestua nga Antidroga, i gjetën marihuanë e kanabis në shtëpi

Një aksion i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë i zhvilluar të premten në fshatin Llaushë  në Skenderaj ka rezultuar me sekuestrimin e një sasie të marihuanës, bimëve të kanabisit, si dhe arrestimin e një personi të dyshuar për shitblerje të substancave narkotike. Gjatë aksionit janë bastisur shtëpia e të dyshuarit dhe parcelat e tij, ku edhe u gjetën dhe u sekuestruan prova nga Policia.

Burimet e gazetës sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se bëhet fjalë për Edmond Spahiajn, i cili ka përfunduar në prangat e Antidrogës.

Gjatë kontrollit nga ana e Policisë, Sinjali mëson se janë sekuestruar një sasi e substancës narkotike, e llojit marihuanë, si dhe mbi 10 bimë Canabis Sativa, që u gjetën në tokat e të dyshuarit.

Përveç drogës, zyrtarët policorë kanë sekuestruar edhe prova të tjera, në mesin e te cilave edhe rreth 800 euro para të gatshme.

Pas përfundimit të aksionit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve policorë.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit dhe inicimin e hetimit për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurrës së kokainës ose bimëve të kanabisit”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer