E martë, 24 Dhjetor, 2024

E akuzuara për vrasjen e burrit në Francë thotë se i pranon veprimet, por që vrasjen e bëri për ta mbrojtur veten

Prishtinë- Në seancën e rigjykimit të mbajtur të hënën në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë , Suzana Zogiani-Sekiraqa, e cila akuzohet se vrau burrin e saj në Francë duke e goditur 11 herë me sëpatë, tha se i pranon veprimet e saj por vrasjen nuk e ka bërë me dashje, por ka tentuar ta mbrojë veten.

“Unë i pranoj veprimet e mia, unë ato s’i kom ba prej qejfit, s’i kom ba me dashje, kom dashtë me mbrojtë veten tem, po nuk e pranoj kualifikimin ligjor”, deklaroi e akuzuara.

Këtë deklarim, Zogiani-Sekiraqa e bëri pasi u pyet nga kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, lidhur me fajësinë pasi aktakuza me pëlqimin e palëve u konsiderua e lexuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fjalën hyrëse, prokurorja Bukurije Gjonbalaj, tha se qëndron në tërësi pranë deklarimeve të bëra në seancat e mëparshme gjyqësore.

Kurse, mbrojtësja e autorizuar e të akuzuarës Zogiani-Sekiraqa, avokatja Kosovare Kelmendi, tha se mbrojtja është bindur që ky trup gjykues e ndoshta edhe vetë Prokuroria, do të vërtetojë se e mbrojtura e saj që nga momenti i parë pas rastit tragjik, është vetëdorëzuar dhe në asnjë moment nuk ka mohuar veprimet e saj.

Kelmendi i propozoi gjykatës që të akuzuarës t’i caktohet një ekspertizë psikiatrike për observim psikiatrik, për të vërtetuar saktë gjendjen e saj mendore në momentin e kryerjes së veprës penale.

Kjo pasi që sipas saj, nuk ka vepër të vrasjes e cila mund të gjykohet pa një ekspertizë psikiatrike.

Mbrojtja gjithashtu rezervoi të drejtën që në një fazë të mëtutjeshme, të propozojë ekspertizë edhe për diçka më të ndjeshme, duke shtuar se në fund kur të mblidhen të gjitha këto ‘copëza të mozaikut’ do të binden të gjithë se në këtë çështje penale nuk kemi të bëjmë me një vrasje të rëndë si kualifikim ligjor.

“Suzana meriton gjykim të drejtë dhe fer, ashtu siç ka konstatuar Gjykata Kushtetuese”, tha Kelmendi.

Në anën tjetër, pala e dëmtuar Hyra Sekiraqa- nëna e viktimës, tha se nuk ia falë në rast se e akuzuara lirohet.

“U dënu 25 vjet, tash kjo me këqyr me dalë apet jo, jo nuk ia fali, për ymër e jetë, jo sa t’kam unë ymër”, tha ajo.

Gjykatësi Syla njoftoi se lidhur me dëgjimin e dëshmitarëve që jetojnë në Francë, gjykata ka kontaktuar Ministrinë e Drejtësisë- Departamentin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar dhe kanë kuptuar se për t’u realizuar një procedurë e tillë, nevojiten rreth 3 muaj për të koordinuar dëgjimin e tyre përmes video-linkut.

Për shkak se në këtë seancë nuk kishte të pranishëm dëshmitarë për të proceduar, seanca u ndërpre, ndërsa në të radhës pritet të dëgjohen dëshmitarët e lartpërmendur.

Lidhur me propozimet e mbrojtjes, gjykatësi Syla tha se do të vendoset jashtë seance.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 17 dhjetor 2019, Suzana Zogiani-Sekiraqën e kishte shpallur fajtore për vrasje të rëndë dhe të njëjtën e kishte dënuar me 25 vjet burgim,

Lidhur me këtë vendim, ankesë kishin parashtruar dy palët mirëpo me 3 korrik 2020, Gjykata e Apelit përmes aktgjykimit i refuzoi si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe e vërtetoi aktgjykimin e Themelores, pasi që konsideroi se gjykata e shkallës së parë qasjen ndaj fakteve vendimtare e kishte të drejtë dhe të ligjshme.

Më 28 tetor 2020, e akuzuara përmes mbrojtësit të saj parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër dy aktgjykimeve të lartcekura, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale si dhe shkelje të Ligjit Penal.

Mirëpo, më 28 prill 2021, Gjykata Supreme përmes aktgjykimit refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga parashtruesja e kërkesës. Andaj, e njëjta iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me kërkesë që të anulohen aktgjykimet e gjykatave të rregullta, në mënyrë që të “krijohen kushte për gjykim të drejtë dhe të paanshëm”.

Gjykata Kushtetuese përmes aktgjykimit të 7 gushtit 2023 ka vendosur të shpallë të pavlefshme aktgjykimet e gjykatës Themelore, asaj të Apelit dhe Gjykatës Supreme, duke e kthyer kështu rastin në rivendosje në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 shkurt 2019, Zogiani-Sekiraqa, akuzohet se më 21 nëntor 2018, rreth orës 08:30, në banesën e saj në Dole të Francës ku ishin duke jetuar se bashku me bashkëshortin e saj A.S, tani të ndjerin, me dashje e ka privuar atë nga jeta në mënyrë mizore.

Prokuroria pretendon se Zogiani këtë veprim e kishte kryer duke e goditur me mjet të mprehtë – sëpatë të paktën 11 herë në pjesë të ndryshme të qafës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer