Gazeta britanike “The Guardian”, ka shkruar se është duke u bërë përpjekje që gjatë takimit të Komunitetit Politik Europian në Granadë të Spanjës, ku do të marrin pjesë edhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq, që të ndërmjetësohet një takim mes tyre.
“Vuçiq dhe Osmani do të marrin pjesë në një samit në Granada të 51 liderëve evropianë të enjten dhe burimet thonë se ka përpjekje për t’i bërë bashkë ata pavarësisht armiqësisë politike midis dy vendeve”, shkruhet në artikull.
Kjo përpjekje vjen pas sulmit terroriste të 24 shtatorit, ku sulmues të armatosur serb vranë rreshterin Afrim Bunjaku dhe u plagosën lehtë dy të tjerë.
Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se shteti serb duhet të sanksionohet për veprimet e saj në veri të Kosovës.
Në një intervistë për CNN, Osmani tha se akti i agresionit serb ishte i planifikuar, plan i ngjashëm me atë të Krimesë, për aneksimin e veriut.
“Është shumë me rëndësi që të sanksionohet e dënohet Serbia për veprimet e saj nga faktori ndërkombëtar. Çdo dëshmi tregon lidhjen direkt të shtetit serb me atë që ndodhi në veri të vendit.Armët që janë gjetur përdoren nga ushtria dhe shteti serb, e jo nga qytetarët serbë. Vuçiqi do të vazhdojë ta përdorë narrativen e Millosheviqit”, tha Osmani.