E martë, 24 Dhjetor, 2024

Prokurori kërkon dënim të ashpër ndaj të akuzuarve për vrasjen në Drenas, mbrojtja lirim nga akuza

Prishtinë-Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku Xhafer dhe Amir Bardhi po akuzohen për vrasjen e 15-vjeçarit dhe babait të tij, me ç’rast prokurori kërkoi nga gjykata dënim të ashpër ndaj të pandehurve, kurse mbrojtësit e të akuzuarve lirimin e tyre dhe ricilësim të veprave penale.

Fillimisht fjalën përfundimtare e ka paraqitur prokurori Bashkim Zeqaj, duke e dorëzuar me shkrim dhe të njëjtën e ka elaboruar, duke thënë se nga provat e administruara është vërtetuar bindshëm kryerja e veprave penale nga të akuzuarit Xhafer dhe Amir Bardhi raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, prokurori Zeqaj deklaroi se shkak i vdekjes së të ndjerit A.M është predha e cila ka depërtuar në krahun e të ndjerit, kurse vdekja në vendin e ngjarjes së B.M sipas tij, është si rezultat i goditjes me pushkë në kokë nga tani i akuzuari Xhafer Bardhi.

Po ashtu prokurori Zeqaj tha se roli i të akuzuarit Amir Bardhi në këtë çështje penale është ndriçuar mjaftueshëm dhe se arma e gjuetisë së Xhafer Bardhi ishte funksionale në momentin e gjuajtjes.

Prokurori Zeqaj tha se duke marr për bazë edhe deklarata e të dëmtuarve Selvete, Valdrin, Valmir dhe Driton Muja vërtetohet mënyra e ndërmarrjes së veprimeve nga të akuzuarit Xhafer dhe Amir Bardhi të përshkruara si në aktakuzë.

Lidhur me përdorimin e pushkës, prokurori Zeqaj tha se i akuzuari Xhafer Bardhi ka qenë njohës i mirë pasi që dy të ndjerit B.M dhe A.M i ka goditur me plumb në pjesët vitale të trupit.

Lidhur me rrethanat rënduese prokurori Zeqaj kërkoi të merret për bazë shkallën përgjegjësisë penale, dashja si dhe rrethanat tjera që mund t’i vlerësojë trupi gjykues.

E për rrethanat lehtësuesi, prokurori Zeqaj tha se nuk ka mund të gjendet asnjë prej tyre.

Në fund i  njëjti propozoi trupit gjykues që të akuzuarve t’i konfiskohen vetura dhe telefoni që janë përdorur për kryerjen e veprës penale.

Më pas fjalën përfundimtare e dha edhe përfaqësuesi i palë së dëmtuar, avokati Ndrec Dodaj, duke thënë se do të paraqesin kërkesë pasurore-juridike.

Tutje, avokati Dodaj tha se është vërtetuar bindshëm aktakuza dhe si e tillë nuk mund të kundërshtohet dhe as kontestohet.

Tutje, avokati Dodaj tha se deklarimet e të akuzuarve Xhafer dhe Amir Bardhi në polici dhe prokurori janë të aspektit deklarativë dhe si të tilla janë të pambështetura.

Deklarimet e avokatit Dodaj dhe prokurori Zeqaj i përkrahën në tërësi familjarët e dëmtuar.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Xhafer Bardhi, avokati Haxhi Millaku kërkoi nga gjykata që për vrasjen e B.M të cilësohet si vepër penale “Vrasje e rëndë nga pakujdesia”, kurse për vrasjene A.M të cilësohet si vepër penale “Lëndim i rëndë trupor”.

Lidhur me kualifikimin juridike vrasje e rëndë në bashkëkryerje, avokati Millaku tha se nuk mund të ketë vepër penale të bashkëkryerjes veç për faktin se i akuzuari Amir Bardhi ka biseduar në telefon me babin e tij të akuzuarin Xhafer Bardhi.

Tutje, avokati Millaku tha se po të ekzistonte dashja për veprën penale të vrasjes së rëndë nga i akuzuari Xhafer Bardhi atëherë do të mbete i vrarë tani i dëmtuari Valdrin Muja pasi që sipas tij, ai ka qenë i parë që është përballur me të akuzuarin Xhafer Bardhi.

Avokati Millaku tha se po të përshkruhej saktë në aktakuzë gjendja faktike atëherë do të kërkonin negociata për pranim të fajësisë me prokurorinë.

E vet i akuzuari Xhafer Bardhi tha se nuk ka pas për qëllim që të vras dhe se në armë  është gjuajtur i dëmtuari Valdin Muja e që pas përleshjes është bërë edhe shkrepja me pushkë.

“Në atë moment armën e  kam pas në dorë me gryk përpjetë dhe Valdrin ka ardhë e ka kap me dorë dhe armën dhe gjatë përleshjes ka kersit”, tha i akuzuari Xhafer Bardhi.

Fjalën përfundimtare e ka paraqitur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Amir Bardhi, avokati Agron Hoti, i cili tha se më asnjë nga provat e administruara nuk vërtetohet kryeje e veprës penale nga i mbrojturi i tij.

Ai tha se në këtë shqyrtim gjyqësorë është vërtetuar raporti i mirë që i akuzuari Amir Bardhi ka pasur me të ndjerin A.M.

Tutje, avokati Hoti tha se duke marrë parasysh se i akuzuari Amir Bardhi po qëndron që një kohë të gjatë në paraburgim i propozoi trupit gjykues që me rastin e shpalljes së aktgjykimi ta liroj nga akuza dhe masa e paraburgimit.

Pasi që palët në procedurë nuk patën propozime të reja, kryetari i trupit gjykues e shpalli të përfunduar shqyrtimin gjyqësorë duke e caktuar datën 9 tetor për shpallje të aktgjykimit.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 28 shkurt 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të pandehurit Xhafer Bardhi dhe Amir Bardhi po akuzohen se më 5 prill 2021 në vendin e quajtur “Zabel” në pyllin e fshatit Gradicë, për shkak të një mosmarrëveshje pronësore rreth së drejtës së shfrytëzimit të malit, me dashje të pandehurit Bardhi në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të miturin- tani të ndjerin A.M 15-vjeçar dhe prindin e tij B.M.

Aktakuza thotë se të njëjtit kanë vënë në rrezik dhe jetën e personave tjerë, të dëmtuarave Valdrin, Valmir dhe Driton Muja, në atë mënyrë që derisa i pandehuri Amir Bardhi ka qenë duke ecur rrugës së malit bashkë me djalin e axhës së tij, dëshmitarin Fisnik Bardhi, aty takohen me të dëmtuarin Valdrin Muja, i cili ka shkuar nga mali, vendi ku ka qenë duke prerë drunj, për ta marrë traktorin dhe për të ngarkuar drunjtë të cilat kanë qenë duke i prerë në mal.

Më pas, aktakuza thotë se Amiri e ka pyetur Valdrinin se “çka jeni duke bërë” dhe se i njëjti i tregon se janë duke prerë drunj në mal dhe më pas i dëmtuari Valdrin vazhdon rrugën në drejtim të vendit ku kanë qenë duke prerë drunjtë, ndërsa Amiri dhe Fisniku po ashtu ndahen.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Amir nëpërmjet telefonit e njofton të pandehurin Xhafer se të dëmtuarit janë duke prerë drunj në mal të cilët bisedojnë për 62 sekonda.

I pandehuri Xhafer i cili ka qenë në shtëpi, thuhet se i merr dy drita për ndriçim të cilat vendosen në kokë, merr armën-pushkën e gjuetisë dhe niset më veturën e tipit “Golf 2” e rrugës bëhen bashkë të dy të pandehurit dhe vazhdojnë në drejtimi të vendit ku të dëmtuarit kanë qenë duke prerë drunj.

Aty, i pandehuri Amir thuhet se ka kontribuar në kryerjen e veprës penale, duke ndriçuar me njërën dritë për të krijuar mundësinë për gjuajte të pandehurit Xhafer, e po ashtu edhe i pandehuri Xhafer ka ndriçuar me njërën dritë dhe menjëherë ky i fundit ka shtënë me armë në drejtim të të dëmtuarit tani të ndjerit A.M i cili në atë moment bërtet “babë më rroki”.

Pastaj, kur i ndjeri B.M dhe i dëmtuari Valdrin shkojnë në drejtim të A.M për t’i dhënë ndihmë, atëherë thuhet se i pandehuri Xhafer prapë shkrep dhe e qëllon tani të ndjerin B.M në kokë, ku më pas i thotë të pandehurit Amir “ikim bir se u bo m**”.

Aktakuza thotë se në vendin e ngjarjes janë gjetur 16 gëzhoja të vogla me të cilat i kanë rrezikuar edhe të dëmtuarit Valdrin, Valmir dhe Driton Muja, të cilët kanë qenë prezent duke prerë dhe bartur drunj, ku këta dy të fundit janë alivanosur pas dy të shtënave.

Gjithnjë sipas aktakuzës, për të ndjerin A.M në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Drenas konstatohet vdekja e tij, ku vdekja e tij është e dhunshme dhe ka ardhur si rrjedhojë e gjakderdhjes masive të brendshme dhe të jashtme si pasojë e veprimit dinamik të predhave të hedhura nga arma e gjuetisë. Ndërsa, tani i ndjeri B.M pëson lëndime të rënda trupore, ku më 15 prill 2021 ndërron jetë në QKUK edhe ai si pasojë e plagëve vdekjeprurëse.

Me këtë, të pandehurit Bardhi akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.1, 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë të kësaj akuze, i pandehuri Xhafer në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla ka pasur në posedim armën-pushkën e gjuetisë të cilën e ka punuar vetë. Me këtë, i pandehuri Xhafer Bardhi akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRKsë./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer