E premte, 27 Dhjetor, 2024

Hovenier: Radoiçiq tha se e ka bërë vetë, por ne nuk besojmë se kjo është fjala përfundimtare

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se kushdo që është përgjegjës pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjskë, do të përballet me pasoja.

ShBA nuk beson se ky sulm është diçka spontane nga banorët e veriut, pasi siç theksoi ai pas gjithë kësaj ka disa lloje strukturash, e vetë nuk mund ta bënin këtë.

Rreth asaj se kryetarroristi serb, Milan Radoiçiq mori përgjegjësinë për sulmin, ambasadori amerikan në një intervistë dhënë për mediumin “Bloomberg”, ka thënë se fjala e tij nuk do të jetë përfundimtare.

“Shumica e sulmuesve u arratisën, por lanë pas një sasi shumë, shumë shqetësuese të armëve dhe armatimeve të sofistikuara ushtarake. Ne nuk besojmë se kjo është diçka spontane vetëm nga banorët e veriut të Kosovës të populluar nga serbët. Ka disa lloj strukturash pas kësaj, nuk mund ta bënin vetë këtë dhe kushdo që ishte përgjegjës do të përballet me pasoja”, tha Hovenier.

“Ne jemi të vetëdijshëm se ai ka thënë se e ka bërë këtë vetë. Ne nuk besojmë se kjo do të jetë fjala përfundimtare për këtë. Puna duhet të vazhdojë për të përcaktuar përgjegjësinë përfundimtare”, shtoi Hovenier.

Lidhur me sulmin terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit foli sërish sot edhe Bashkimi Evropian. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se Serbia duhet të bashkëpunojë pa kushte gjatë hetimeve për zbardhjen e plotë të sulmeve që ndodhën në Banjskë.

“Pritjet tona nga Serbia janë jo vetëm që të ketë nga ajo bashkëpunim të plotë, por të ketë bashkëpunim pa kushte. Nëse ka vullnet, ka edhe rrugë dhe askush nuk duhet të fshihet prapa formaliteteve si njohja e palës tjetër apo mosnjohja. Ka shumë rrugë se si mund t’i shkëmbeni evidencat, si mund të bashkëpunoni dhe si mund të kontribuoni plotësisht në hetime”, tha Stano.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer