Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në rrugën ‘Mark Dizdari’ në Prishtinë, ku një person ka humbur si pasojë e lëndimeve të rënda që pësoi në vendin e tij të punës. I ndjeri dyshohet se ka rënë nga kati i tretë i objektit ku punonte dhe fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Suad Përçukun, 45-vjeçar, i cili vdiq pasi u dërgua në këtë qendër në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndërkohë, posa rasti është denoncuar, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, të cilët bashkë me Inspektoratin kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’ dhe trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Për vdekjen e 45-vjeçarit kanë njoftuar edhe familja e miqtë e tij.